Sport

John Stones rinovon kontratën me Manchester City-n


Mbrojtësi i Manchester City-t, John Stones, ka zgjatur edhe për pesë vite kontratën me klubin nga “Etihad”.

Kontrata e tij me klubin anglez, më parë kishte datën e skadimit në vitin 2022, por tani ajo është valide deri 2026.

27-vjeçari vjen pas një sezoni shumë të mirë me Manchester City-n, dhe një Europiani të suksesshëm me Anglinë.

Stones dëshironte të largohej pas transferimit të Dias dhe Laporte, por këtë të fundit ai arriti ta lë në bankën rezervë.

Stones ka luajtur 168 ndeshje me Manchester City-n, duke fituar çdo trofe të mundshëm brenda Anglisë.

Ai u transferua te City nga Everton në vitin 2016, për shifrën e 47.5 milionë funtesh.

Stones shprehet që “nuk mund të jetë më i lumtur” dhe se puna me Guardiola-n për të “ende duket si një ëndërr”.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre”, tha Stones.

“Këtu ka shumë futbollistë të kualitetit më të lartë dhe unë e di se ne mund të fitojmë ende trofë së bashku”, vazhdoi Stones, “ky është fokusi im kryesor”.

Drejtori sportiv i Manchester City-t, Txiki Begiristain, tha që Stones është “rritur shumë” që nga koha iu bashkua klubit.

“Stones është një futbollist shumë i mirë dhe një mbrojtës i shkëlqyer”, u shpreh Begiristain.

“Kur nënshkruam me të, e dinim se po marrim një mbojtës shumë të mirë. Me kalimin e kohës, ai është rritur shumë këtu”, mbylli ai.

Stones ka formuar një dyshe të frikshme bashkë me Ruben Dias, e të dy ishin pjesë e formacionit të vitit për Premier League gjatë sezonit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore