Lajme

Japonia do të nisë shkarkimin e ujit radioaktiv në Paqësor nga e enjtja


Japonia do të fillojë lëshimin e ujërave radioaktiv nga termocentrali i shkatërruar Fukushima Daiichi nga e enjtja.

Një lëvizje kjo, në kundërshtim me komunitetet e peshkimit, Kinës dhe disa shkencëtarëve.

Kryeministri Fumio Kishida ka thënë se i kishte kërkuar operatorit të uzinës, Tokyo Electric Power (Tepco), “të përgatitej me shpejtësi për shkarkimin e ujit” në përputhje me planet e miratuara nga rregullatorët bërthamorë.

Kishida ka thënë se asgjësimi i më shumë se 1 milion ton ujë që po ruhet në vend ishte një pjesë thelbësore e procesit të gjatë dhe kompleks për çaktivizimin e uzinës.

Sakaq, plani ka shkaktuar polemika sepse uji përmban tritium, një substancë radioaktive që nuk mund të hiqet nga teknologjia e filtrimit të ujit të objektit.

Hong Kongu, një treg i rëndësishëm për eksportet japoneze të ushqimeve të detit, ka kërcënuar me kufizime.

Udhëheqësi John Lee ka thënë se ai kundërshtoi fuqimisht planin, duke shtuar se ai kishte udhëzuar qeverinë e qytetit të aktivizonte kontrollet e importit për ushqimet japoneze të detit.

Koreja e Jugut dhe Kina ndaluan importet e ushqimeve të detit nga disa zona të Japonisë pasi Fukushima Daiichi pësoi një shkrirje të trefishtë në katastrofën e trefishtë të marsit 2011 përgjatë bregut verilindor të vendit.

Kina mbetet ashpër kundër, duke akuzuar Japoninë se e trajton oqeanin si një “kanalizim”.

Kohët e fundit, qeveria e Koresë së Jugut hoqi kundërshtimet për shkarkimin, por partitë opozitare dhe shumë koreano-jugorë janë të shqetësuar për ndikimin që shkarkimi do të ketë në sigurinë ushqimore.

Ndërkohë, vendimi vjen disa javë pasi mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), miratoi shkarkimin, duke thënë se ndikimi radiologjik mbi njerëzit dhe mjedisin do të ishte “i papërfillshëm”.

Disa ekspertë theksojnë se centralet bërthamore në mbarë botën përdorin një proces të ngjashëm për të asgjësuar ujërat që përmbajnë përqëndrime të ulëta të tritiumit dhe radionuklideve të tjera.

Por Greenpeace e ka përshkruar procesin e filtrimit si të metë dhe ka paralajmëruar se një sasi e madhe e materialit radioaktiv do të shpërndahet në det gjatë dekadave të ardhshme.

Qeveria përballet gjithashtu me kundërshtime nga peshkatarët vendas, të cilët thonë se pompimi i ujit në Oqeanin Paqësor do të shkatërrojë industrinë e tyre.

Ujërat radioaktive, të cilat përfshijnë shiun dhe ujërat nëntokësore, kontaminohen kur përdoren për të ftohur shufrat e karburantit bërthamor të dëmtuara në vitin 2011 kur një cunami i fuqishëm u përplas në termocentral, duke ndërprerë furnizimin e tij me energji elektrike rezervë.

Rreth 1.3 milionë ton ujë i trajtuar – mjaftueshëm për të mbushur 500 pishina olimpike – po mbahet në më shumë se 1 mijë depozita çeliku në vend.

Por Tepco ka paralajmëruar se hapësira e magazinimit po mbaron.

Sistemi i avancuar i përpunimit të lëngjeve të Tepco-s heq shumicën e elementeve radioaktivë përveç tritiumit, një izotop hidrogjeni që është i vështirë për t’u ndarë nga uji.

Uji do të hollohet në një të 40-tën e përqendrimit të lejuar sipas standardeve japoneze të sigurisë përpara se të pompohet në oqean gjatë 30-40 viteve të ardhshme nëpërmjet një tuneli nënujor 1 kilometër nga bregu.

Uji do të çlirohet me një ritëm maksimal prej 500 mijë litrash në ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore