Sport

Ish-tenistja numër një në botë e lë ndeshjen në gjysmë dhe braktis fushën


Një gjë e paparë ndonjëherë ka ndodhur në orët e fundit në turneun e tenisit, “Miami Open”, që është duke u zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-tenistja numër një në botë, Victoria Azarenka, i ka befasuar të gjithë duke e lënë në gjysmë meçin me Linda Fruhvirtovan dhe duke e braktisur fushën.

Tenistja bjelloruse e cila po garonte si neutrale në këtë takim pas sanksioneve ndaj vendit të saj, ishte duke e humbur këtë ndeshje. Setin e parë u mposht me shifrat 6:2, gjithashtu edhe të dytin ishte duke e humbur me rezultat 0:3.

Por, pas këtij momenti ndodhi gjëja e pazakontë, kur Azarenka vendosi të tërhiqej nga fusha, e cila përshëndeti gjyqtaren dhe mori pajisjet e veta, duke u larguar drejt dhomave të zhveshjes.

Nga ky veprim i Azarenka-s mbeten të gjithë të habitur, madje edhe kundërshtarja e saj, e cila u mundua ta bindte atë që ta vazhdojë ndeshjen, por ishte e kotë.

Saktësisht arsyeja se pse fituesja e dyfishtë e “Australian Open” e bëri këtë gjë, nuk dihet ende, por gjatë ndeshjes ajo tha “Pse jam këtu”.

“Nuk duhej të kisha dalë në fushë sot”, tha Azarenka në një deklaratë pas ndeshjes, shkruan “Eurosport”.

“Javët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht stresuese në jetën time personale. Ndeshja e fundit më mori shumë, por doja të luaja para një publiku të mrekullueshëm pasi ata më ndihmuan të kaloja ndeshjen time të parë”, shtoi ajo.

“Doja të dilja atje dhe të provoja, por ishte një gabim. Unë gjithmonë pres sfidën dhe presionin e konkurrencës, por sot ishte shumë. Më duhet dhe do të mësoj nga kjo”, tha mes tjerash ajo.

32 vjeçarja po shkon drejt pensionimit, por ky veprim i saj është kritikuar nga të gjithë dhe është konsideruar si i turpshëm dhe mos respektues.

Ndaj saj pritet të ndërmerren masa nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit, derisa së fundmi ajo ka kërkuar falje për këtë veprim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore