Zgjedhjet në Shqipëri

Ish-Presidenti Nishani: Basha, përgjegjësi kryesor i humbjes, PD të lihet e lirë


Nëpërmjet një mesazhi të postuar në profilin e medias sociale Facebook, të martën e 27 prillit ka reaguar ish-Presidenti Bujar Nishani. Ai nuk shmang asnjë nga përgjegjësitë politike. Sa i takon qeverisjes Rama e konsideron të korruptuar.
Ndërsa nuk kursen aspak edhe kreun e Partisë Demokratike duke e akuzuar si përgjegjës kryesor për katër humbje politike rradhazi. Ai shtoi se priste që Lulzim Bash të lërë të lirë Partinë Demokratike.
Më poshtë deklarata e plotë e Bujar Nishanit:
“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.
Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !
Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.
Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.
Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore