Kosova

Ish-presidenti malazez për Open Balkans – “Duhet të përfshijë Kosovën, Malin e Zi dhe BeH-në”


Forumi Global Baku në kryeqytetin e Azerbejxhanit

Një panel i posaçëm kushtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor u mbajt në kuadër të Forumit Global Baku në kryeqytetin e Azerbejxhanit.

Paneli u ndoq nga ish-Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ish-presidenti kroat Ivo Josipoviç, ish-presidenti malazez Filip Vujanoviç dhe presidentja e Komitetit Kombëtar të Politikës së Jashtme Susan Elliott.

Paneli u moderua nga ish-ministri i jashtëm i BeH-së, Zlatko Lagumxhija.

Tregu i përbashkët

Në fillim të panelit, Boris Tadiç tha se “për herë të parë në histori, zona e Ballkanit Perëndimor po jep sinjale se e ardhmja e saj në Bashkimin Evropian është e pasigurt”.

“Si dikush që ka luftuar për evropianizimin e Serbisë dhe të rajonit që nga fundi i viteve 1970, shpresoj se Bashkimi Evropian do të vazhdojë aktivitetet e tij të zgjerimit”, tha Tadiç, duke theksuar se zhvillimet e fundit në rajon duhet të shqetësojnë të gjithë Evropën, sidomos kriza në BeH.

Vujanoviç vlerësoi se iniciativa e Ballkanit të Hapur për bashkëpunim ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e rëndësishme, por se duhet të përfshijë edhe Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën dhe të kryejë aktivitetet e saj përmes mekanizmave të bashkëpunimit tashmë të krijuar.

“Ideja e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor është optimale për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, por nuk mund të koordinohet nga shtetet individuale nëpërmjet organeve që do të formonin, por duhet të koordinohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal të Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe iniciativa CEFTA”, tha Vujanoviç.

Shoqëri më e mirë

Ndërkaq ish-presidenti kroat, Ivo Josipoviq, theksoi se pavarësisht nga disponimet aktuale gjeopolitike, nuk duhet harruar se gjëja më e rëndësishme për anëtarësimin në BE është zbatimi i reformave të nevojshme.

“Kroacia ka bërë një përpjekje të madhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa Bullgaria dhe Rumania kishin kritere shumë më të ulëta të hyrjes. Megjithatë, me anëtarësimin në BE, ne jo vetëm që jemi bërë një vend më i mirë, por edhe një shoqëri më e mirë. E ardhmja evropiane e vendeve të rajonit varet nga vetë ata, sepse nëse nuk janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie më të mira me njëri-tjetrin, vendet nuk kanë të ardhme evropiane. Fati është në duart e tyre”, ka thënë ai.

Forumi i VIII-të Global në Baku u mbajt nga 4 deri më 7 nëntor në kryeqytetin e Azerbajxhanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore