Kosova

Intervista e kryediplomatit kroat për Albanian Post, rikthen tensionet diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë


Gordan Grliç-Radman

Deklarata e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, e dhënë për Albanian Post se “njohja e Kosovës nga Serbia është e pashmangshme”, ka rikthyer tensionet diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë.

Në një intervistë ekskluzive për AP, kryediplomati kroat ka thënë se “muajt e ardhshëm janë vendimtarë për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë” dhe se njohja e Kosovës “është e pashmangshme”.

“Muajt e ardhshëm janë vendimtarë për marrëveshjen Kosovë – Serbi”, intervistë ekskluzive me MPJ të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman

Por, për ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, deklarata e Grliç-it është e pa pranueshme.

Selakoviç, ka vlerësuar se me atë deklaratë Grliç “ka dalë nga korniza e politikës zyrtare të BE-së, e cila është në pozicion neutral ndaj statusit të Kosovësnë”, pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet.

“Serbia përkundër dëshirës së ministrit kroat, nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ka një sërë arsyesh të vlefshme për këtë, dhe argumentet e saj bazohen fuqishëm në të drejtën ndërkombëtare, mbi rezoluta juridikisht të vlefshme si 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra mbi parimet themelore mbi të cilat mbështeten marrëdhëniet moderne ndërkombëtare”, thotë Selakoviç, raporton N1.

Madje sipas tij, qëndrimi i diplomacisë kroate është “kontradiktor”, sepse Kroacia “mbron integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës duke iu referuar parimit të sovranitetit dhe pacenueshmërisë së integritetit territorial të shteteve, dhe në të njëjtën kohë i mohon Serbisë të njëjtat të drejta, nuk është as parimore dhe as fqinjësore”.

“Parimet e së drejtës ndërkombëtare duhet të jenë universale dhe çdo devijim nga rregullat dhe pranimi i precedentit në fakt e bën të drejtën ndërkombëtare të pakuptimtë dhe shkatërron themelet e saj”, shtoi Selakoviç.

Ndryshe, Grliç-Radman është kryediplomat i Kroacisë nga vera e vitit 2019.

Ai u bë shumë i përfolur kohëve të fundit në Serbi, kur anuloi një vizitë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kroaci.

Vuçiç e kishte menduar vizitën në nivel privat, por Grliç-Radman s’kishte dhënë leje. Pati deklaruar se vizita s’mund të bëhet dot, sepse “s’jemi njoftuar zyrtarisht” dhe “duhet ta dimë agjendën, kohën zyrtare dhe natyrën e vizitës paraprakisht”.

Qëndrimi Grliç-Radman prodhoi tensione diplomatike, prandaj ai deklaron për AP se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet ta ketë edhe efektin e stabilitetit rajonal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore