Lajme

Inteligjenca gjermane është e shqetësuar për humbjet e Ukrainës në betejat për Bakhmut-in


Shërbimi Federal i Inteligjencës Gjermane (BND) është i shqetësuar për humbjet e mëdha të ushtrisë ukrainase në betejat për qytetin e Bakhmut-it.

Lajmi është raportuar nga botimi gjerman “Spiegel”.

Sipas botimit, BND-ja u tha parlamentarëve në Bundestag në një takim sekret këtë javë se ushtria ukrainase aktualisht po humbet një numër treshifror ushtarësh çdo ditë në betejat me pushtuesit rusë.

“Në frontin afër Bakhmutit, ukrainasit aktualisht po pësojnë humbje të mëdha, në konferencën e BND-së flitej për numra treshifrorë të viktimave në ditë. Sipas analizës, rënia e Bakhmutit do të kishte pasoja për të gjithë linjën e mbrojtjes ukrainase”, thuhet në artikull.

Inteligjenca britanike ka raportuar më parë se një nga dy rrugët kryesore të furnizimit të Ukrainës për në Bakhmut është tani nën presion në rritje.

Pamjet tregojnë se që nga fillimi i janarit 2023, jugu dhe lindja e Bakhmut-it vazhdojnë t’i nënshtrohen granatimeve intensive të artilerisë.

Gjithashtu, inteligjenca britanike raportoi në janar se trupat ruse kanë rritur presionin ndaj Bakhmut-it, por ata nuk kanë gjasa të rrethojnë qytetin në të ardhmen e afërt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore