Lajme

Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë: Ne e hartuam planin franko-gjerman, ia dërguam BE-së para tri vjetësh


Foto ilustruese nga Albanian Post

Në tavolinën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë qëndron një dokument që herë quhet franko-gjerman e herë “kornizë e re” për normalizim të marrëdhënieve, të cilin as autoritetet kosovare e as ato serbe nuk e kanë refuzuar deri tani.

Drejtori i Institutit për Siguri Ndërkombëtare në Beograd, Orhan Dragash, ka thënë se nisma e Francës dhe Gjermanisë, ka ngjashmëri me një propozim që ata e hartuan më shumë se tri vjet më parë.

Në një artikull të publikuar në Euractiv, ai kujtoi disa nga zgjidhjet më të rëndësishme që janë paraqitur në atë kohë përmes propozimit të tyre, të cilin ia kishin dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Dragash-it, nëse BE-ja dëshiron që Beogradi dhe Prishtina të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, Brukseli duhet të bëhet aktor i tretë për t’u ofruar nënshkruesve një motiv shtesë për të bërë kompromis.

Orhan Dragash

“Beogradi dhe Prishtina mund të motivohen vetëm nga një angazhim i detyrueshëm se prioritetet e tyre strategjike ndërkombëtare do të përmbushen brenda kornizave kohore të përcaktuara saktësisht”.

Për këtë arsye, argumenton ai “ne sugjeruam një rrugë të mundshme përmes njëkohshmërisë së aplikimit të marrëveshjes dhe aktivizimit të garancive”.

“Në rastin e Serbisë, kjo do të nënkuptonte anëtarësim të plotë në BE dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes me Prishtinën”, thekson Dragash kurse  në rastin e Kosovës, “pranim në OKB dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, po ashtu dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes. marrëveshje me Beogradin”.

Gjithashtu, edhe marrëveshja duhet të hyjë në fuqi të plotë dy vjet pas nënshkrimit, sepse siç vlerësoi ai “Beogradi dhe Prishtina duhet të përshtatin legjislacionin e tyre me zgjidhjet e reja të dakordësuara, të përfundojnë negociatat e anëtarësimit me BE-në (Serbia) dhe të kryejë përgatitjet për anëtarësim në OKB dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE (Kosova)”.

Ndërkaq, sa i përket komunave me shumicë serbe, kishin propozuar që ato marrin “status të veçantë brenda Kosovës”.

“Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të zbatohen dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Serbia do të merrte përsipër të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”.

E, për krejt atë çfarë është thënë deri më tash, sipas Dragashit, propozimi franko-gjerman, si dhe paraardhësi i tij (plani i Institutit për Siguri Ndërkombëtare) mund t’i zgjidhin problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kështu, ata më në fund do t’i përgjigjen pyetjeve të bëra prej kohësh të presidentit serb Vuçiç, ‘Sa perspektiva evropiane do të kemi?’ dhe kryeministrit të Kosovës Kurti, ‘Pse Kosova është e vetmja në Evropë, të rinjtë e së cilës janë të izoluar?’”

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore