Lajme

Indeksi i Demokracisë së “Economist” – Kosova nuk përfshihet, Shqipëria dhe Serbia kategorizohen si “demokraci me të meta”


Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në pragun e “demokracive me të meta” në Indeksin e Demokracisë për vitin 2021 të publikuar sivjet nga Njësia e Inteligjencës së “Economist”.

Shqipëria dhe Serbia janë në po atë kategori gjithashtu, ndërsa Bosnja kategorizohet si regjim hibrid.

Kosova nuk është përfshirë fare në këtë matje.

Gazeta European Western Balkans shkruan se “ky indeks bën matje e gjendjes së demokracisë bazuar në proceset zgjedhore, funksionimin e qeverisë, participimit politik, kulturës politike, dhe lirive qytetare”.

“Vendet e vëzhguara pastaj futen në katër kategori: demokraci të plota, demokraci me të meta, regjime hibride dhe regjime autoritare”.

Në vitin 2019, Serbia qe kategorizuar si demokraci me të meta. Tashmë ka pas vete edhe Shqipërinë, që në këtë indeks hyri vitin e kaluar.

Bosnja dhe Hercegovina mbetet më së largu në kategorinë e regjimit hibrid.

Në një matje prej 1 deri në 10, Serbia shënoi 6.36 pikë, Shqipëria me 6.11 pikë, Maqedonia e Veriut me 6.03 pikë, dhe Mali i Zi 6.02 pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shënon vetëm 5.04 pikë.

Globalisht, Serbia renditet në vendin e 63-të të demokracive, Shqipëria në vendin e 68-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 73-të, Mali i Zi në vendin e 74-të, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 95-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore