Lajme

Hovenier: Së bashku me Power-in i ritheksuam Kurtit rëndësinë e themelimit të Asociacionit


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku ishte së bashku me Shefen e Agjencisë së ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se “ritheksuam rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Dialogut, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Hovenier përmes një postimi në rrjetin social Twitter, takimin e përshkroi si të “frytshëm”.

“I inkurajuar për të parë lëvizjen e vazhdueshme përpara të Kosovës, veçanërisht kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit”, shkroi ai në Twitter.

Samantha Power dhe Albin Kurti.

Ndryshe, udhëheqësja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se ka pasur diskutime të gjera me krerët institucional të Kosovës, për urgjencën e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe implementimit të plotë të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Si përfaqësuese e lartë administratës Biden, Power, ka garantuar se pozicioni i SHBA-ve ka qenë dhe do të jetë gjithmonë që normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohjen reciproke.

Megjithatë në këtë fazë SHBA-të, sipas saj, e kanë orientuar fokusin në rendësin e themelimit të Asociacionit si dhe në rendësin që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që është e mundur.

“Pozicioni i SHBA-ve ka qenë gjithmonë që normalizimi duhet të përfundojë me njohjen reciproke dhe kjo vazhdon të mbetet qëndrimi ynë, por tani jemi duke sjell fokusin në rëndësinë e Asociacionit si dhe rëndësinë që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që është e mundur, sepse kjo do të jetë shumë e rëndësishme në aspektin e stabilitetit”, ka thënë fillimisht ajo në një konferencë për media.

“Kemi pasur diskutime të gjera në lidhej me urgjencën e krijimit të Asociacionit dhe po ashtu për urgjencën e implementimit të plotë të gjitha aspekteve të Marrëveshjes dhe po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime shumë specifike”, ka shtuar ajo.

Top-diplomatja amerikane ka theksuar se pikëpamja e SHBA-ve në lidhje me asociacionin është dhënë në opinionin e botuar të Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 31 janar të këtij viti.

“E kemi bërë të qartë përmes Chollet dhe Escobar, i kemi cekur cilat janë parimet dhe besoj që Asociacioni duhet t’i përmbahet atyre kushteve”.

Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas Power, do të jetë me të vërtet shumë i mirë dhe i dobishëm për ekonomin kosovare.

“Dobia që normalizimi do të sjell për të rinjtë e këtij vendi nuk mund të tejkalohet. Dua të nënvizojë edhe njëherë urgjencën e lëvizjes përpara me implementimin dhe rëndësinë e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Lajçaku. Zgjedhjet politike të cilat i kemi para vetes janë shumë të vështira, nëse do të ishin të lehta zgjedhjet do të ishin bërë shumë më vonë.”, ka pohuar ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore