Lajme

Historia e Evan Gershkovich, gazetari i WSJ i arrestuar në Rusi


Zëdhënësi i Putinit thotë se e kapën në flagrancë.

Por për çfarë akuzohet realisht Evan Gershkovich, i arrestuar për spiunazh në një restorant në qytetin industrial të Yekaterinburgut në malet Ural?

Sipas akuzës për të kërkuar të dhëna për veprimtarinë e kompanive ruse të luftës, “në emër të qeverisë amerikane”, të dhëna që Kremlini i konsideron sekrete shtetërore.

Por ajo çka ndodh në përgjithësi është se spiunët që përdorin gazetarinë si mbulim nuk janë profesionistë shumë të dukshëm dhe as nuk shkruajnë për gazetat kryesore të botës.

Ata përdorin akreditimin e shtypit si leje, por përndryshe shmangin vëmendjen.

Evan, djali i emigrantëve nga Rusia Sovjetike që ende jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ka një histori krejtësisht të ndryshme.

I lindur në 1992, u diplomua në shkollën e mesme Princeton në 2010 dhe u diplomua për filozofi dhe letërsi nga Kolegji Bowdoin më pak se nëntë vjet më parë duke ecur me një shpejtësi rrufe.

Një karrierë meteorike që kalon nga një gazetë në tjetrën: në New York Times në 2016, duke mbuluar krizën siriane dhe atë të Ukrainës lidhur me pasojat e pushtimit të Krimesë.

Me qendër në Rusi që nga viti 2017, punon  për Moscow Times, më pas për agjencinë France Presse dhe bashkëpunon me revistat Economist, Foreign Policy dhe MIT Technology Review, si edhe me rrjete të ndryshme televizive dhe radiofonike, nga BBC në Deutsche Welle, në France 24, në Radion Publike Kombëtare Amerikane.

Qartësisht jo tamam profili i një spiuni që vepron në hije.

Më në fund kalimi në Wall Street Journal.

Deri më tani, Kremlini nuk kishte paditur ende gazetarët e huaj, por me luftën në Ukrainë gjithçka ndryshoi.

Shumë rusë tashmë janë dënuar si spiunë për thjesht ekspozimin e joefikasitetit dhe korrupsionit të ushtrisë ruse.

Goditja dhe intolerancës ndaj kritikave ka arritur tashmë edhe në shtypin e huaj dhe, në fakt, shumë gazeta dhe rrjete televizive kanë tërhequr përkohësisht ose përgjithmonë korrespondentët e tyre dhe kanë mbyllur zyrat e tyre në Moskë.

Por Evan nuk u largua. I guximshëm, i aftë për të arritur shumë burime falë njohurive të tij të përsosura të gjuhës ruse, i përpiktë, Gershkovich vazhdoi të përshkruante atmosferën e zymtë të një Kremlini në të cilin një Putin gjithnjë e më i izoluar dhe mosbesues krijoi një strukturë pushteti të paaftë për t’i bërë llogaritjet realiste rreth shanseve të një pushtimi të suksesshëm të Ukrainës.

Por, më shumë se kritika ndaj Putinit, Evan i kushton vëmendje intervistave me ushtarë rusë, të cilët rrëfenin disfata katastrofike.

Raportet e tij të guximshme nga Bjellorusia, ku ai ndiqte ardhjet dhe ikjet e ambulancave plot me rekrutë të vdekur ose të plagosur kanë qenë një dëshmi e humbjeve të mëdha të pësuara nga ushtria e Moskës.

Ndërsa nga udhëtimet në qytetet kufitare ruse, ai analizoi ndikimin mbi popullsinë e bombardimeve propagandistike në atë që do të bëhej një zonë lufte.

Në artikullin e tij të fundit, Evan shpjegoi përkeqësimin e ekonomisë ruse si rezultat i sanksioneve.

Në Urale, gazetari merrej me problemet industriale dhe rekrutimin nga brigada Wagner.
Ai tregoi se si për të parandaluar që baballarët dhe nënat e djemve të dërguar për të vdekur të dilnin në rrugë në Moskë ose Shën Petersburg, rekrutimi bëhej në periferinë ruse.

Ndoshta kjo qe mjaftueshëm për regjimin.

Për të parë çfarë do të ndodhë duhet të presim seancën e parë, jo para fundit të majit.

Por ndoshta çështja do të zgjidhet më shpejt me shkëmbim klasik të të burgosurve.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post

Arrestohet në Rusi gazetari i WSJ-së, po shkruante për mercenarët Wagner

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore