Lajme

Haradinaj ripërsërit: Mocioni është zgjidhja e vetme ndaj kësaj qeverie


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë këtë të mërkure se institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime në Veri, dhe sipas tij tani qytetarët po i vuajnë pasojat, duke shtuar se rrëzimi i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti do të ishte zgjidhja e duhur për të dalë nga situata ku gjendet momentalisht Kosova.

“Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjithë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve”, ka thënë Haradinaj para se të hynte në Kuvendin e Kosovës.

Si gabim të dytë, kreu i AAK-së theksoi se ishte “insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantuar të gjithëve”.

“I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidatë të mirëfilltë. Edhe zgjidhja me i kryet funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençme”, beson ai.

Ndërkaq, Haradinaj mendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gaboi “kur insistoi t’i vendos ata me forcë policore në objekte”, duke shtuar se “të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë.

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ia ka prezantuar tri kërkesa Kosovës, për të cilat tha se duhet të zbatohen menjëherë, në të kundërtën do të ketë pasoja. Ai kërkoi zgjedhje të reja në Veri të Kosovës, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, këto kërkesa që janë paraqitur “në një mënyrë jam pranuar prej Kosovës”.

“Siç edhe e dimë, veç është paralajmëruar edhe nga presidentja edhe nga kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve më veri. Ashtu siç është pranuar edhe mundësia e heqjes së njësive speciale nga objekte të komunës ku duhet të qëndrojnë në veri. Njëkohësisht edhe pranimi nga Qeveria e Kosovës për pranimin e krejt marrëveshjeve të mëhershme, si në marrëveshjen e Ohrit, paraprakisht edhe në marrëveshjen e Brukselit”, theksoi ai.

Ndërsa, Haradinaj ka insistuar që ndaj qeverisë së Kurtit duhet të ketë mocion mosbesimi, madje pohoi se ka pakënaqësi edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje, dhe se është i bindur që edhe disa deputetë të kësaj partie do ta përkrahnin një mocion të tillë.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”, ka potencuar Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore