Lajme

Haradinaj: Në dosjet e Speciales falënderoheshin prokurorët serbë


Nasim Haradinaj.

Nasim Haradinaj ka thënë se në dokumentet që kishin arritur në organizatë, kanë parë korrespodenca të kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) me prokurorë të Serbisë ku ndër të tjera ka thënë se ishte edhe një letër falënderimi që ZPS-ja u kishte drejtuar atyre.

“Nuk e kam parë asnjë falënderim të ndonjë organizmi të shtetit tonë, as prokurorisë sonë, as ndonjë shqiptar. Ndoshta ka mundur me qenë se unë të gjitha faqet nuk i kam shikuar, por në ato që i kam shikuar nuk e kam pare”.

“Kam parë kërkesa, që kishin thirrur t’ua sigurojnë vendet në Serbi, personave të caktuar, tmerr kam parë, për aq pak që kam parë, tmerr kam parë”, ka thënë Haradinaj.

Këto deklarata ai i bëri gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës rreth paketave që ishin sekuestruar në Organizatën e Vetereanëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai ka thënë se dosjet nuk i kanë kopjuar dhe as nuk kanë pasur interesim për emra të dëshmitarëve apo për publikimin e tyre.

Ndërsa ai konsideron se ngjarja me dokumentet e arritura nga një person i panjohur në OVL-UÇK, ishte në interes për publikun dhe organizata e ka bërë të ditur për shkak të transparencës.

Haradinaj theksoi se konferencat i kanë thirrur për shkak të interesit publik.

“Mbi bazën e transparencës, ka qenë i ngulfatur opinioni me lloj-lloj thashethemesh, ka qenë i ngulfatur, replika, mendime të ndryshme, spekulime, nuk ka pasur send më të nevojshme se sa me qenë transparent me publikun me u pa se çfarë janë këto, çfarëdo qofshin, qofshin provokim, qofshin kurth, qofshin vet të tyre, ka qenë interes kjo me u ditë çka po bëhet. Ne do të kishim bërë në një farë mënyrë thyerje të ligjit të demokracisë, transparencës dhe interesit publik po të mos e kishim bërë këtë punë”, ka thënë ai.

Hysni Guacati dhe Nasim Haradinaj

Gjithashtu, ka thënë se ZPS nuk i ka kontaktuar pas daljes publike përmes konferencës.

“Zotëri avokat sa për dijeni, dy orë prej Prishtinës derisa më kanë sjellë këtu, këta e kanë pasur 15 minuta zyrën deri në zyre tonë, këta të kishin dashur, hajde mirë të parën herë, por dytën herë e të tretën herë kurrë nuk kishin mundur të mbërrijnë gazetarët para tyre, se informata ka qenë publike”.

Ai tregoi se një ditë pas datës shtatë shtator të 2020, kur kishin arritur dosjet e para në OVL-UÇK, ai kishte udhëtuar për në Shqipëri në një pushim të planifikuar paraprakisht me familje.

“Shqetësimi i madh i parë ishte tentimi për të na sabotuar neve ose të na montohet diçka, sepse dikujt nuk i shkonim për qejfi, në fakt nuk i shkonim për qejfi as qeverisë, as Dhomave të Specializuara”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, pas disa ditëve derisa po kthehej në Kosovë, të zona e kufirit, ai është përcjellë nga një veturë të cilën fillimisht ka thënë se nuk i ka kushtuar mjaft vëmendje por më vonë ka ardhur në përfundim se mund të ketë qenë nga hetuesit e Speciales.

“Shqetësimi i dytë ishte nëse janë të vërteta, ishte skandal se asnjëherë nuk kemi guxuar ta besojmë që kanë rrjedh prej tyre, ishte e pabesueshme sepse krejt arsyeja që ne u bë me dalë këto gjykata jashtë Kosovës ka qenë mbajtja e sekretit, kjo ka qenë, mos mundësia e keqpërdorimit të dokumenteve dhe dukej e palogjikshme të vinin prej atje tek ne, ky nuk është shqetësim i vogël as sot”, ka thënë Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ndërkaq, Haradinaj ka treguar se në momentin e tretë kur janë sjellë dokumente, personi që i sillte vetëm i ka hedhur ato në korridor grumbull, i ka bërtitur sekretares së organizatës që të mos e pengojë dhe se herën e ardhshme do të sjellë CD.

Gjykata Speciale në Hagë.

“Nuk ishin paketë hiq. Këto kanë qenë si fletushka të gjuajtura, kur kemi parë në monitor i ka gjuajtur më larg në fillim të korridorit, i ka nxjerrë prej trupit. Nuk kanë ardhur këto në paketë, ndryshe nga dy të parat. Edhe me Taiben ishte sjellë ndryshe, i kishte thënë mos më pengo, tjetër herë ju sjelli CD”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar edhe për praninë e oficerëve të KFOR-it dhe se kur ata kanë pyetur nëse mund të shohin se çfarë janë ato dokumente, ka menduar se ishte provokim.

“I pamë ishin tri tuba me përmbajtje diku të njëjta, 100-120 faqe. Nuk i kam numëruar saktë. Por flitej për një akuzë ndaj presidentit Thaçi”.

“Më kanë thënë oficerët e KFOR-it a bën me i fotografu, e kam marrë si provokim. Dyshova se po duan të bëjnë kinse nuk po dinë. Thash i keni këto. Më thanë jo, jo”, tha Haradinaj.

Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se gjithçka që përmbanin dosjet të cilat u lanë para derës së organizatës, ishin informacione që diheshin.

Në pyetjet e drejtuara nga mbrojtja, Haradinaj ka thënë se kishte lajmëruar mediat për dokumentet kur erdhën, dhe sipas tij, në to ishte ajo “çka është folur para dy muajsh dhe dukej si draft-akuza ndaj Thaçit”.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore