Shqipëria

Greqia luan kartën e radhës për çështjen Beleri, ankohet në BE zv.presidenti i Komisionit Evropian


Nuk është më tashmë thjesht një çështje diplomatike mes dy vendeve fqinje – aq më pak një çështje e drejtësisë shqiptare – ajo e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili gjendet nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme SPAK, për shitblerje votash.

Greqia – mbështetëse e fuqishme e Belerit, i cili politikat e tija i bazon pikërisht tek retorika e minoritetit grek në Shqipëri – ka përdorur tashmë edhe një kartë tjetër për rastin, ku në strukturat e Bashkimit Evropian është ankuar vetë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, i cili postin e mban që prej vitit 2019.

Ai është zëvendës i presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe është gjithashtu europarlamentar i zgjedhur grek.

Schinas, në një letër dërguar Komisionit, shpreh një shqetësim të madh për çështjen Beleri dhe bën thirrje për të mos pasur më indiferencë nga ana e BE-së lidhur me arrestimin e eksponentit politik në favor të minoritetit grek në Shqipëri.

Madje, ai ka mbajtur edhe qëndrim të fortë, duke thënë se në rast mosbashkëpunimi nga ana e Tiranës, do të ketë pasoja për Shqipërinë.

Lënien e Belerit në burg nga ana e Gjykatës, Schinas e ka etiketuar si një “vendim tejet të pazakontë dhe shumë të ashpër”, duke pretenduar se Beleri duhet të ishte në liri tashmë.

SPAK çon për gjykim çështjen e Belerit: Korrupsion aktiv në zgjedhje

“Është e qartë se Bashkimi Evropian nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj situate, efektet e së cilës janë shumë më të gjera se rasti individual i zotit Beleri. Siç nënvizohet nga Parlamenti Evropian në rezolutën e tij të miratuar së fundmi për raportin 2022 për Shqipërinë, kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, pezullimin me pronat e pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe kategoritë e shkeljeve ndaj shtetit”.

Kështu e raporton situatën Schinas në BE, duke parashtruar edhe se Shqipëria është kandidate për në union dhe se respektimi i plotë i demokracisë dhe të drejtave të njeriut, apo shtetit ligjor, janë kyçe për anëtarësimin e saj.

Madje, ai në përfundim e përforcon se është mbështetës dhe mbrojtës i kahershëm i perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Por, kërkon që autoritetet shqiptare, sa i takon çështjes Beleri, të marrin hapa konkrete për ta zgjidhur, pasi në të kundërt ka një risk të lartë për të parë përmirësime në raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, i cili hartohet nga Komisioni Evropian, ku vetë Schinas është zëvendës.

“Përpjekjet nuk duhet të humbasin, për të shmangur minimin e progresit të mirë që Shqipëria ka arritur në vitet e fundit dhe kështu ta mbajë vendin në rrugën e duhur për t’u bërë një anëtar i plotë i familjes së BE-së”, e përmbyll ai.

Tre ditë më parë, sa i takon rastit Beleri, pati edhe një telefonatë mes ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Girogos Gerapetritis dhe kryediplomates shqiptare, Olta Xhaçka.

Sipas diplomacisë greke, autoritetet shqiptare vijojnë t’i heqin Belerit “të drejtën politike për të bërë betim dhe për të ushtruar detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës”.

Këto shqetësime, Gerapetritis ia ka ngritur pikërisht Xhaçkës në bisedë.

Beleri kthehet në “çështje diplomatike” mes Shqipërisë dhe Greqisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore