Shqipëria

Beleri kthehet në “çështje diplomatike” mes Shqipërisë dhe Greqisë


Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Girogos Gerapetritis ka biseduar të martën e 1 gushtit me kryediplomaten shqiptare Olta Xhaçka lidhur me zhvillimet e fundit pas arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

“Njoftimi i sotëm i Prokurorisë së Posaçme Shqiptare kundër Korrupsionit në lidhje me aktakuzën e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij në një gjyq nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në thelb parandalon rezultatin e procesit. Duke shkelur të drejtën e gjykimit të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë që Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë rreptësisht”, u shpreh zyrtari grek duke cituar mediat vendase.

Sipas diplomacisë greke, autoritetet shqiptare vijojnë t’i heqin Belerit “të drejtën politike për të bërë betim dhe për të ushtruar detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës”.

“Ministri i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis, i ngriti të gjitha këto çështje me homologen e tij shqiptare në bisedën e tyre të sotme telefonike”, theksoi Athina zyrtare.

Kujtojmë që, Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbylli më herët hetimet në ngarkim të Belerit, duke e çuar dosjen për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin.

SPAK shkruan se, nga analiza rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 eurosh për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14 maj.

Ndërkaq, vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

Beleri ia ka dhënë shumat monetare Ramës nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv.

Ky i fundit i ka dhënë Ramës tetë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit.

Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore