Aplikacione

Gjigantët e teknologjisë përpiqen të distancohen nga Facebook-u


TikTok, Snapchat dhe YouTube janë ndër kompanitë më të fundit të teknologjisë që janë pyetur nga senatorët amerikanë për shqetësimet mbi sigurinë e përdoruesve të tyre më të rinj.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se gjatë marrjes së tyre në pyetje për afro katër orë, këto kompani u përpoqën të diferencohen nga Facebook-u, i cili është përballur muajt e fundit me një kontroll në rritje nga politikanët.

Megjithatë, atyre iu tha se “të jesh ndryshe nga Facebook-u nuk është mbrojtje…nuk është mbrojtje të thuash që je ndryshe”.

Në fjalën hapëse, senatori Richard Blumenthal ka shtuar se “po dëgjojmë të njëjtat histori. Problemi është i qartë, fëmijët dhe adoleshentët janë bërë pre e teknologjisë për të fituar më shumë para”.

“Gjithçka që bëni është të shtoni përdorues, veçanërisht fëmijët, dhe t’i mbani ata në aplikacionet tuaja. Ky është për teknologjinë një moment llogaridhënie…do të ketë përgjegjësi, këtë herë është ndryshe”, ka deklaruar ai.

Diferencimi nga Facebook-u

Facebook-u është përballur me thirrje në rritje për rregullim. Sidomos pas akuzave për dëmtim të mirëqenies mendore të fëmijëve.

Mirëpo, Snapchat-i u ka pohuar senatorëve se nuk i përkiste të njëjtës kategori.

“Snapchat-i u ndërtua si një kundërhelm ndaj mediave sociale”, ka thënë zëvendëspresidentja për politikën publike globale, Jennifer Stout.

Ndërkohë, kreu i politikave publike të TikTok-ut, Michael Beckerman, ka deklaruar në seancën dëgjimore se media që përfaqëson “nuk është një rrjet social i bazuar në ndjekës”.

Megjithatë, edhe ky i fundit është përballur me akuza që algoritmi i tij u shërben përdoruesve adoleshentë përmbajtje të dëmshme, të tilla si video për humbje peshe ose shaka të rrezikshme.

‘Rrëfimi i të varurve’

Referuar “BBC”, seanca dëgjimore pason rrjedhjen e dokumenteve të brendshme të denoncueses së Facebook-ut, Frances Haugen, të cilat përfshijnë pretendime se kompania mëmë ishte në dijeni të ndikimit “toksik” që Instagram-i kishte te vajzat adoleshente.

Sipas saj, vetë hulumtimi i Facebook-ut kishte përshkruar një problem si “rrëfimi i një të varuri”, ku fëmijët ishin të pakënaqur, por nuk mund të kontrollonin përdorimin e aplikacionit ose të ndalonin përdorimin e tij.

Por shefi Mark Zuckerberg ka pohuar se platforma kishte bërë përpjekje për të luftuar përmbajtjen e dëmshme.

“Ne kujdesemi thellësisht për çështje si siguria, mirëqenia dhe shëndeti mendor”, ka thënë ai në një letër të postuar në faqen e tij në Facebook.

Mburoja kryesore

Gjithashtu senatorët kanë shqetësime në rritje si për censurën, ashtu edhe për përhapjen e keqinformimeve.

Disa prej tyre janë të mendimit se legjislacioni që mbron rrjetet sociale nga paditja, i njohur si Seksioni 230, duhet të rishikohet.

“BBC” dallon se ai është bërë mburoja kryesore për faqet e mëdha si Facebook, Twitter dhe YouTube, të cilat nuk mund të shqyrtojnë çdo postim nga përdoruesit e tyre përpara publikimit.

Madje, shumë politikanë amerikanë pretendojnë se legjislacioni është i vjetëruar dhe rrjetet sociale duhet të mbajnë përgjegjësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore