Lajme

Gati një muaj, Kosova pa ambasadorë në 12 shtete


ilustrim, ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe e Diasporës

Ka kaluar më shumë se një muaj, që kur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i dërgoi presidentes Vjosa Osmani propozimin për lirimin nga detyra dhe tërheqjen nga misioni diplomatik të 12 ambasadorëve të Republikës së Kosovës të emëruar politikisht.

Por, në një kohë që kjo ndodhi, procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj nuk ka filluar ende.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post (AP) edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh edhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme (KPPJ), Time Kadrijaj.

Sipas saj, komisioni parlamentar nuk ka pranuar nominime të ndonjë kandidati për ambasador.

“Ne, ende si Komision Parlamentar për Punë të Jashtme, nuk kemi pranuar ndonjë nominim ose kërkesë për intervistim të ndonjë kandidati për ambasador. Unë nuk e di se sa do të zvarritet procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj”.

Më tej, Kadrijaj shpjegon se procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj është një procedurë e gjatë.

“Emërimi i ambasadorëve të rinj ka procedura. Fillimisht duhet që Ministria e Punëve të Jashtme të dërgojë propozimet e kandidatëve në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme. Më pas, kandidatët intervistohen në KPPJ dhe pas këtij intervistimi propozimi kalon te presidentja. Më pas, dekretimi dhe pranimi i ambasadorëve të rinj në vendet ku janë emëruar kërkon kohë”, ka thënë ajo për Albanian Post.

Deputetja, gjithashtu, ka pohuar se shkarkimi kolektiv i ambasadorëve ka qenë politike dhe se ka dëmtuar imazhin e Kosovës.

Ndërsa për anëtaren e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Teuta Sahatqija, shkarkimi i ambasadorëve fuqiplotë ngjante në spastrime politike të vendeve me qeveri diktatoriale.

“Qeveria ka të drejtë të bëjë rotacionin dhe ndërrimin e ambasadorëve politikë, dhe kjo si proces nuk kontestohet nga askush. Por shkarkimi spektakular dhe i menjëhershëm i 12 ambasadorëve nga MPJD-ja ngjante me spastrime politike të vendeve me qeveri diktatoriale, se një rotacion normal demokratik”, ka thënë ajo për Albanian Post.

Në vijim, Sahatqija ka treguar se shkarkimi i ambasadorëve në fjalë nuk ka kaluar pa u vërejtur në shtetet pritëse dhe ka lënë shije të keqe, duke dëmtuar imazhin e Kosovës si shtet demokratik.

Sipas saj, rivendosja e një ambasadori të ri fuqiplotë kërkon kohë diku gjashtë muaj dhe kjo vonesë tregon mungesën e respektit për shtetet mike.

“Vonimi i emërimit të ambasadorëve përçon mesazhin politik në vend që Qeveria e, sidomos MPJD-ja, nuk ka qenë e interesuar aq në zëvendësimin e Ambasadoreve, por vetëm në procesin e spastrimit si shenjë dalluese e kësaj qeverie”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore