Bota

Fillon hetimi pёr “bllokimin e Suezit”


Janë hapur hetimet zyrtare mbi zbardhjen e asaj çka ngjau me anijen gjigande të kontejnerëve Ever Given, e cila u përplas në Kanalin e Suezit, duke bllokuar rrugёn globale pёr gati njё javё.

Kryetari i Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA), Osama Rabie, ka sugjeruar se kushtet e motit, përfshirë erërat e forta dhe gabimi njerëzor mund të kenë luajtur rol në incidentin e 23 marsit.

Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e licencës pёr lundrim dhe veprimet e kapitenit të saj për të ndihmuar në përcaktimin e shkaqeve.

Bllokimi gjashtë-ditor çrregulloi zinxhirët globalë të furnizimit, pasi anija 400 metra e gjatë u bllokua diagonalisht nëpër pjesën jugore të kanalit, rruga më e shkurtër e transportit midis Evropës dhe Azisë.

Pas incidentit, pritet të ketë rritje të kërkesave të sigurimeve. Ndёrsa kompania bankare Lloyd’s e Londrës pret një “humbje të madhe”, në shumën prej 100 milionё dollarësh, sipas kryetarit të saj.

Pronari japonez i Ever Given u shpreh se nuk kishte marrë asnjë padi mbi bllokimin.

SCA tha se ka planifikuar autokolona tё pёrshpejtuara tё transportit detar për të pastruar më shumë se 400 anijet që u bllokuan nё trafik në të dy skajet e kanalit.

Ajo ka thënë se shpreson që radhët të pastrohen deri në fund të javës.

Ever Given, një anije kontejnerësh në pronësi japoneze 1 mijë e 300 metra, që u bllokua në Kanalin e Suezit për ditë me radhë, u lirua të hënën e 29 marsit, duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugëve të transportit ujor.

Rruga ujore artificiale prej 120 miljesh e njohur si Kanali i Suezit duke qenë një pikë kyçe për shtetet ka krijuar gjithashtu një konflikt gjeopolitik, që kur u hap në vitin 1869.

Kanali, i cili është një nga rrugët më të rëndësishme për transportin ujor ndërkombëtar, ka qenë në qendër të vëmendjes pasi ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike duke bllokuar më shumë se 300 anije mallrash.

Sipas gjurmuesve të anijeve dhe vëzhguesve në vendngjarje Ever Given u zhvendos pjesërisht në orët e para të mëngjesit dhe rreth orës tre pasdite, anija u çlirua me sukses dhe nisi lundrimin në ujra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore