Lajme

Escobar: Shumë çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit, veprimet e njëanshme do të kenë pasoja


“Veprimet e njëanshmes do të kenë pasoja”.

Kështu ka thënë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, kur është pyetur për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese”, tha Escobar, derisa ka shtuar se shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionin të Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu ai ka theksuar se ShBA-të e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe investojnë të gjitha përpjekjet vazhdimin e tij dhe se dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.

“Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspiratat tona më të mëdha janë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, potencoi Escobar.

Edhe Bashkimi Evropian pati akuzuar Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.

Të hënën, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që nuk do të ketë masa ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për pagesa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore