Shqipëria

Escobar: Putini zgjodhi luftën, ne Ukrainën – Duhet kujdes në Ballkanin Perëndimor


“Bota ka ndryshuar, për shkak të sulmit të fundit rus në Ukrainë. Por, zëri i unifikuar i të gjitha vendeve, të cilat u bashkuan me Ukrainën, ka qenë mbresëlënës”.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka folur për herë të parë mbi situatën në Ukrainë, duke veçuar mbi të gjitha bashkimin që kjo situatë ka sjellë mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.

“Duhet ta mbajmë Rusinë përgjegjëse të kësaj situate dhe ta ndihmojë Ukrainën që ta kthejë mbrapsht veprimin ushtarak të Kremlinit”, ka përkufizuar Escobar nëpërmjet një deklarate për shtyp.

Sipas tij, kjo situatë nuk mund të lejohet dhe të destabilizojë Evropën. Veprimet e koordinuara të partnerëve kanë qenë të menjëhershme dhe një presion i madh është ushtruar mbi Vladimir Putinin.

“Sanksionet tona e kanë shkëputur Rusinë nga rrjeti financial global”, ka thënë Escobar. “Ekonomia ruse është gati të bjerë tërësisht. Ky agresion i Putinit ndaj Ukrainës do t’i kushtojë shumë Rusisë”.

Po ashtu, në rolin e tij si i dërguar i posaçëm i SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Escobar ka folur edhe për rreziqet që i kanosen rajonit prej këtij konflikti, të cilat nuk i sheh si të vogla.

“Ka shumë punë për t’u bërë në Ballkanin Perëndimor. Punë për të integruar rajonin ekonomikisht. Punë për të gjetur kompromisin e duhur dhe të qëndrueshëm, mbi konfliktet që ekzistojnë”.

Sipas Escobar, gjeneratat e ardhshme nuk duhet të lejohet të kenë këtë ndasi. Ndaj, integrimi i plotë i rajonit është me shumë rëndësi për të pasur një Evropë të plotë, të lirë dhe të paqtë.

“SHBA-të duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Duhet ta përdorim këtë shembull, për të arritur kompromiset mes Kosovës dhe Serbisë apo për të arritur stabilitet me situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Me një mesazh të fundit, Escobar ka theksuar se liria do të jetë ajo që do të fitojë. Evropa dhe Ballkani sipas tij, do të dalin më të fortë nga kjo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore