Lajme

Escobar dhe Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, së bashku me përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, raporton Radio Evropa e Lirë.

Lajçak dhe Escobar, kanë vepruar bashkërisht së fundi me qëllim që të rrisin gjasat për sukses në dialog.

Në Bruksel, disa herë kanë thënë se angazhimi i përbashkët BE-SHBA është treguar i dobishëm për të bindur palët që të ulin tensionet.

Edhe më 9 janar, Escobar dhe Lajçak janë takuar me ambasadorët e shteteve të NATO-s me të cilët kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon dhe kanë paraqitur para tyre edhe planet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Në muajin dhjetor, të dy kishin zhvilluar takime me krerët e shtetit, për shkak të situatës së tensionuar në Veri dhe vendosjes së barrikadave.

Escobar, nuk kishte pranuar të flas shumë për situatën në veri të Kosovës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

“Nuk kam ndonjë koment, jemi pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm”, kishte thënë Escobar për RTK-në.

“Do të kem më shumë të them pak më vonë, do të kemi edhe disa takime të tjera pastaj do të diskutojmë”, shtoi ai.

Njëjtë si Kurti edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar që barrikadat të largohen dhe personat që kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe ata të EULEX-it të përballen me drejtësinë.

Ndryshe, në veri të Kosovës serbët kishin vendosur barrikada në fshatin Rudarë të Zveçanit në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Tensionet ishin rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok dhe barrikadat qëndruan për 20 ditë.

Që nga ajo kohë, në komunat me shumicë serbe, kishte pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore