Kosova

Enver Hoxhaj pas takimit me Kurtin dhe Osmanin: Kemi folur për 10 tema


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit të tij me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se temë kryesore e takimit ka qenë koordinimi dhe bashkëpunimi për termat e politikës së jashtme.

“Ne kemi kërkuar nga z. Kurti e znj. Osmani qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme, meqë presidenti i ardhshëm i vendit ka rol në përfaqësimin e Republikës tonë dhe qeveria ka rol shumë të madh në formulimin e politikës së jashtme dhe këtu kemi kërkuar një qartësi të plotë”, ka thënë Hoxhaj në një konferencë për medie.

Hoxhaj u shpreh se sjellja e PDK-së në raport me formimin e institucioneve të reja “varet prej 10 qëndrimeve të cilat kjo parti i ka ngritur në takim”.

Ai ka sqaruar se qasja e tyre ishte konstruktive dhe parimore.

“Se pari ne mendojmë se në procesin e krijimit te institucioneve qofte edhe zgjedhjes se presidentit para se të flitet për personin duhet të flitet për parime të cilat përcaktojnë se kush do të jetë president i ardhshëm i Republikës, natyrisht që Kosova ka nevojë për stabilitet, ka nevojë për qartësi politike dhe ne kemi nevojë për liderë institucional të cilët e bashkojnë skenën politike, krijojnë unitet të populli dhe i avancojnë marrëdhëniet e Kosovës me botën e jashtme”, ka shtuar Hoxhaj.

Sipas tij, disa nga çështjet e ngritura nga PDK-ja në këtë takim ishin “distancimi i dhunës së mëparshme politike si hedhja e gaz lotsjellësit, goditja e ndërtesave të kuvendit, dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi i raporteve si prioritet për institucionet e ardhshme, marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe, çështja e kufirit më Malin e Zi, marrëveshja e mini-shengenit”,  ka treguar Hoxhaj.

Ai po ashtu ka theksuar se ky takim pas 10 vitesh, ishte i pari që ndodh me një ‘komunikim normal’ mes qeverisë së ardhshme dhe opozitës.

“Kishim një takim shumë të mirë me kryetarin e VV-së, Albin Kurti dhe znj. Osmani si fitues të zgjedhjeve. Ishte një takim pas kërkesës sonë që duhet diskutim mes pozitës dhe opozitës për formimin e institucioneve”.

Hoxhaj ka treguar se për çështjet e diskutuara në këtë takim, do të diskutojnë edhe me organet e PDK-së pastaj do të dalin me një qëndrim dhe do të tregojnë se cila do të jetë qasja e PDK-së në raport me krijimin e institucioneve.

Hoxhaj në këtë takim ishte i shoqëruar me sekretarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.

Pas takimit me Hoxhajn, Osmani e Kurti do të takohen edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, një takim me Osmanin e Kurtin nuk do ta mbajë edhe LDK-ja.

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do të marrë pjesë të hënën në takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin, për bisedime rreth formimit të institucioneve të reja.

Andaj takimi që ishte thirrur për në orën 12:30, sipas Abdixhikut mund të mbahet të premten.

“E kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona të partisë së menjëhershme dhe konsultave të brendshme për të marrë pjesë në takimin e nesërm, gjithsesi propozoj të premten si datë takimi”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për medie.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore