Kosova

KFOR-i mohon pretendimet se “negocioi” tërheqjen e grupit të Radoiçiçit nga Banja


Ilustrim

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) e cilësoi të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), në të cilin pretendohet se “zyrtarë të KFOR-it negociuan për tërheqjen e grupit serb” pas sulmit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

KFOR-i theksoi të dielën në një deklaratë për media se pretendimet e ICG-së nuk janë të vërteta sepse misioni paqeruajtës “në asnjë moment nuk u përfshi në negociatat e supozuara”. Në reagimin e KFOR-it u tha se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjës duhet të përballen me drejtësinë.

“Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesetarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.

KFOR-i kujtoi ndër të tjera se rreth 1000 ushtarë shtesë në kuadër të misionit zbarkuan në vend – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon, sikurse dëshmoi sulmi i armatosur vitin e kaluar në veri.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”.

Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në draftraportin që e prezantoi gjatë sesionit pranveror të këtij institucioni në Sofje të Bullgarisë, përfshiu edhe një raport të ICG-së në të cilin pretendohet se zyrtarë të KFOR-it negociuan gjatë orëve kritike me autoritetet kosovare për tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit të terroristëve serbë.

Në raportin e ICG-së, ku jepen hollësi për sulmin terrorist të fundshtatorit të 2023-s në veriun e trazuar të Kosovës, prentendohet se KFOR-i ndërmjetësoi tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit terrorist serb që sulmoi policinë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, ndaj të cilit ekziston edhe një fletarrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore