Libra

“Ekspeditat ushtarake”, fjalimi i Aleksandrit të Madh


Pas dhjetë vitesh beteja të pamposhtura, Aleksandri i Madh kontrollonte një perandori enorme që përfshinte Greqinë, Egjiptin dhe atë që dikur kishte qenë Perandoria e madhe Persiane. Megjithatë, kjo nuk i mjaftonte Aleksandrit. Ai vendosi të zgjerojë pushtimin e tij edhe në Indi. Por pas dhjetë vjet luftimesh dhe larg vendlindjes, ushtarët dhe njerëzit e tij nuk kishin më vullnetin për të shkuar në beteja tjera, veçanërisht kundër një kundërshtari të fortë si mbreti Porus dhe ushtria e tij. Aleksandri i Madh e vuri në përdorim talentin e tij oratorik që kishte mësuar ndërsa studionte nën filozofin e madh Aristotelin për të frymëzuar njerëzit e tij me motivacionin e nevojshëm për të vazhduar luftimet dhe për të fituar.

Fjalimi i tij:

Një gjë e vërej tek ju, zotërinj, se kur dua të ju dërgoj në ekspedita të reja, ju nuk më ndiqni më pas me të njëjtin shpirt siç bënit dikur. U kam thirrur këtu që të mund të vendosim këtë gjë së bashku: a duhet që, sipas meje, të vazhdojmë tutje, apo, sipas juve, të zmbrapsemi?

Nëse keni ndonjë ankesë për të bërë në lidhje me rezultatet e përpjekjeve të juaja deri më tani, ose për mua si komandant, atëherë s’kemi më për çka të flasim. Por një gjë më lejoni t’ua rikujtoj: përmes guximit dhe durimit tuaj, ju keni arritur të pushtoni Joninë, Hellespontin, të dy Frigjiat, Kapadokian, Paplagoninë, Lidinë, Karian, Likian, Pamfilian, Fenikian dhe Egjiptin; pjesa greke e Libisë është tani e juaja, së bashku me pjesën më të madhe të Arabisë, rrafshet e Sirisë, Mesopotamisë, Babilonisë dhe Suzisë; Persia dhe Media me tërë territoret që kanë qenë nën kontrollin e tyre, tani janë në duart tuaja. Ju jeni bërë zotërinjtë e tokave përtej Portave Kaspiane, përtej Kaukazit, përtej Tainisit, të Baktrias, Hyrkanias, dhe detit Hyrkanian; ne i kemi zmbrapsur Skytianët në shkretëtirë; dhe Indusi, Hydaspesi, Acesina, Hydraoti tani rrjedhin përmes vendeve tona.

Me të gjitha këto të arritura, pse hezitoni në zgjerimin e fuqisë së Macedonit – fuqinë tuaj – deri në Hifasis dhe fiset në anën tjetër? A është kjo sepse po frikësoheni që disa vendasë që kanë mbetur atje mund të na bëjnë opozitë? Ejani, ejani! Këta vendasë ose do dorëzohen menjëherë ose do të jenë në ikje – do ta lënë vendin e tyre të pambrojtur për ju që vetëm ta merrni; dhe kur ta marrim, ua bëjmë dhuratë atyre që na janë bashkuar me vullnetin e tyre dhe që luftojnë në anën tonë.

Për një burrë që është burrë, puna, ashtu siç besoj unë, nëse drejtohet për qëllime fisnike, nuk ka objekt tjetër përtej vetes; sidoqoftë, nëse ndonjëri prej jush dëshiron të dijë se çfarë kufizimesh kjo ekspeditë ushtarake mund të ketë, më lejoni të ju tregoj se territori i vendit që është para nesh, që prej këtu e deri te Gangest dhe oqeanit Lindor, është krahasimisht i vogël. Ju padyshim se do të shihni se ky oqean është i lidhur me Detin Hirkanian, sepse Rrjedha Oqeanike e madhe e mbërthen të gjithë botën. Po ashtu, miq të mi, do jua vërtetoj se Gjiri Persik dhe Indian dhe Deti Hirkanian janë që të tria të lidhur dhe të vazhdueshëm. Anijet tona do të lundrojnë prej Gjirit Persik në Libi, e deri te Shtyllat e Herkulit, gjersa e gjithë Libia e lindja së shpejti do të jenë tonat, dhe e gjithë Azia, dhe në këtë perandori nuk do të ketë kufij përveç atyre që Zoti i ka caktuar për të gjithë botën.

Por nëse tani vendosni të ktheheni mbrapa, shumë njerëz të lindur ushtarakë do të mbesin të pa-pushtuar mes Hifasias dhe Oqeanit Lindor, dhe shumë tjerë n veri e në Detin Hirkanian, bashkë me Skitët, jo shumë larg tyre; kështu që nëse tërhiqemi tani ekziston rreziku që territoret të cilat ende nuk i kemi pushtuar mund të nxiten në revoltë nga kombe tjera, kombe të cilat nuk i kemi nënshtruar ende. Nëse kjo ndodhë, gjithçka që kemi bërë dhe gjithçka që kemi vuajtur do të kenë qenë të pafrytshme – ose do të përballemi me detyrën për ta bërë atë përsëri nga fillimi. Zotërinj të Macedonit, dhe ju, miqtë dhe aleatët e mi, kjo nuk duhet të jetë kështu. Qëndroni të vendosur; sepse ju mirë e dini që vështirësia dhe rreziku janë çmimi i lavdisë, dhe se e ëmbël është aroma e një jete me guxim dhe jeta e pavdekshme përtej varrit.

A e dini ju se nëse paraardhësi im Herakli, po të mos kishte shkuar më larg së Tirins ose Argos – ose as deri në Peleponez ose Teba, kurrë nuk do ta kishte fituar lavdinë, lavdi e cila shndërroi atë prej një njeriu në perëndi, qoftë përnjëmend ose vetëm si dukje? Edhe Dionisi, i cili me të vërtet është perëndi, në kuptimin edhe më të madh se Herakli, nuk e kishte të lehtë të bënte atë që bëri; por ne, ne kemi bërë edhe më shumë: ne kemi shkuar përtej Nysas dhe i kemi pushtuar gurët e Aornos të cilat edhe vetë Herakli s’kishte mundur. Ejani, pra; shtojani vetes edhe të gjithë Azinë – një shtojcë e vogël mbi atë që tanimë është në zotërimin tuaj. Çfarë pune të madhe apo fisnike do të kishim arritur po të ishim ndalur duke menduar gjatë? duke jetuar rehat në Maqedoni, thjesht duke mbrojtur shtëpitë tona, duke mos u brengosur për asgjë tjetër përveç shkeljes së trakëve në kufijtë tanë, ose të ilirëve dhe tribalianëve, ose ndoshta grekëve të cilët mund të provokojnë rehatinë tonë?

Nuk do të u kisha vënë fajin se jeni të parët që u ka rënë motivi nëse unë, komandanti juaj, mos të kisha kaluar të njëjtat gjëra si ju, marshimet dërrmuese e të lodhshme në ekspeditat e gjata e të rënda; do të kishte qenë mjaft e natyrshme nëse do të kishit bërë gjithë punën thjesht që të tjerët të merrnin shpërblimin. Por puna nuk është kështu. Ju dhe unë, zotërinj, së bashku e kemi ndarë punën e këputshme dhe rrezikun e madh, dhe shpërblimet na takojnë së bashku. Territoret e pushtuara ju takojnë gjithë juve; nga radhët e juaja zgjidhen edhe qeverisësit; tashmë edhe pjesa më e madhe e thesarit kalon në duart tuaja, dhe kur e gjithë Azia të jetë kthyer përmbys, atëherë me të vërtetë do të ngritem mbi kënaqësinë e ambicieve tona: shpresat dhe pritshmëritë e secilit prej juve për pasuri dhe pushtet do të tejkalohen shumë, dhe kushdo që dëshiron të kthehet në shtëpi do të lejohet të shkojë, ose me mua ose pa mua. Ata që rrinë do t’i bëjë të lakmohen nga ata që largohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore