Kosova

“E ardhmja e Kosovës është e ndritshme” – Power pas takimit me sipërmarrësit e rinj nga Kosova  


Samantha Power

Udhëheqësja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ndërsa po qëndron në Prishtinë të enjten ka takuar disa nga sipërmarrësit e rinj nga Kosova.

Kështu të paktën ka bërë të ditur ajo nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social në Twitter duke shprehur përshtypjet e saj pas këtij takimi.

“E ardhmja e Kosovës është e ndritshme për shkak të dinamizmit dhe zgjuarsisë së liderëve të saj të rinj”, ka shkruar ajo në Twitter pasi takimeve të zhvilluara me sipërmarrësit nga Kosova dhe mentorët e tyre me të cilët ka diskutuar mbi idetë inovative biznesore që kanë këtë të fundit.

 

Por, kush në të vërtetë është Samantha Power?

Power anëtarja e Partisë Demokratik momentalisht është shefja më e lartë e agjencisë e cila merret me zhvillim ndërkombëtarë që nga janari i vitit 2021 kur u emërua me dekretin e presidentit aktual të SHBA-ve, Joe Biden.

Ajo ka shërbyer më parë si ambasadore e 28-të e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara.

Si ambasadore e SHBA-ve në OKB, zyra e Power u fokusua në çështje të tilla si reforma në OKB, të drejtat e grave dhe të drejtat e komunitetit LGBT, liria fetare dhe pakicat fetare, refugjatët, trafikimi i qenieve njerëzore, të drejtat e njeriut, dhe demokracisë , duke përfshirë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Sudanin dhe Mianmarin.

Top-diplomatja amerikane është një njohëse e mirë e dinamikave në Gadishullin Ballkanik meqë e njëjta filloi karrierën e saj si korrespodente e luftës duke mbuluar luftërat në ish-Jugosllavi.

Power ka shërbyer si këshilltare e lartë në fushën e politikës së jashtme, në atë botë të Senatorit amerikan, Barack Obama.

Top-diplomatja ka punuar gjithashtu si këshilltare e lartë për politikën e jashtme në fushatën presidenciale të vitit 2008 të Obamës.

Në vitin 2009, Presidenti Obama e emëroi atë në një pozicion në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të vazhduar më pas kryesimin e një Bordi për Parandalimin e Mizorive, me dekretimin e ish-presidentit të SHBA-ve, Barack Obamës.

Ajo konsiderohet të ketë qenë një nga figurat kyçe në administratën Obama që ka arritur ta bind presidentin për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi.

Në vitin 2016, ajo u rendit si gruaja e 41-të më e fuqishme në botë nga revista prestigjioze Forbes.

Power, sa ishte gazetare kishte fituar një çmim Pulitzer (çmimi më i rëndësishëm në gazetari) në vitin 2003 për librin e saj “Një problem nga ferri: Amerika dhe epoka e gjenocidit një studim i përgjigjes së politikës së jashtme të SHBA-ve ndaj gjenocidit”.

Në vitin 2004, Power u emërua nga revista prestigjioze Time si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë atë vit.

Power gjatë vizitës së saj në Serbi, do të takohet me zyrtarë qeveritarë, shoqërinë civile, udhëheqës të biznesit dhe teknologjisë, gazetarë hulumtues, liderë të rinj dhe kampionë të të drejtave të aftësisë së kufizuar.

Ajo gjatë qëndrimit në Beograd do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë Power gjithashtu do të takojë zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të sektorit privat, ndërmarrës të rinj dhe novatorë, aktivistë lokalë dhe prodhues të fermave të vogla.

Power në Prishtinë do të theksojë përkushtimin e fortë të USAID-it për të ndihmuar në avancimin e integrimeve euroatlantike të Kosovës duke forcuar demokracinë, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, duke promovuar pajtimin në mbështetje të demokracisë multietnike të Kosovës dhe duke punuar për të katalizuar mundësi të reja ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore