Shëndet

Duke matur kaloritë deri në ekstrem


“Shëmbëlltyra e vetes në pasqyrë u bë gjëja më e frikshme që shihja për një kohë të gjatë. Perfeksioni dhe pesha ideale ishin mendimi i çdo minute që kalonte nga jeta ime”.

Kështu thotë për Albanian Post, 17-vjeçari Stivern Vrioni, i cili, për një kohë të gjatë, vuante nga anoreksia nervore.

Ndonëse peshorja shënonte vetëm 42 kg, Vrioni ndihej mbi peshën ideale që dëshironte.

“Unë llogarisja çdo ushqim, duke matur kaloritë e çdo gjëje që konsumoja”.

Pesha ideale, rrëfen më tej ai, iu kthye në mision për një periudhë të gjatë kohore.

“Nëse bashkëmoshatarët e mi hanin në fast-food, unë përpiqesha t’i shmangia ato. Në drekë nuk haja fare, kurse në darkë konsumoja vetëm sallatë dhe supë”, thotë Vrioni.

Ndër të tjera, ai thotë, se ka pasur raste kur i ka rënë edhe të fikët. “Çdo gjë ishte në mendjen time, nuk merrja parasysh asnjë këshillë. Kishte shumë shokë, të cilët më thoshin që po shkatërroja veten”.

Si shpjegohet anoreksia nervore?

Psikiatër dhe doktor në spitalin “Salus”, Taulant Pengili, shpjegon për Albanian Post se anoreksia është një çrregullim serioz i të ngrënit dhe se karakterizohet nga frika apo paniku për të shtuar peshë.

“Për ata që vuajnë nga anoreksia, kontrolli mbi trupin dhe ushqimi bëhet shqetësimi kryesor” , thotë Pengili.

Ndërsa psikoterapisti i trajnuar në çështjet e çrregullimeve të të ngrënit, Elvis Popaj, vë theksin se anoreksia është një problem serioz, i cili nuk duhet anashkaluar dhe që duhet të trajtohet në kohë.

“Përafërsisht 0.3-0.9% e popullatës në botë”, shprehet Popaj për AP-në, “mund të vuajë nga anoreksia në një moment të jetës. Nuk kemi të dhëna empirike për Shqipërinë, por të dhënat klinike tregojnë një rritje të numrit të personave që kërkojnë shërbime të tilla, si: psikoterapia, shërbimet psikiatrike apo konsulta me nutricionistët për probleme që lidhen me anoreksinë”.

Si ta kuptojmë që një person po vuan nga anoreksia nervore?

Anoreksia nervore, thonë specialistët, manifestohet në forma të tilla, si:

Kufizim i fortë i marrjes së kalorive nëpërmjet ushqimit. Kjo, mund të çojë në peshë shumë më të ulët trupore në krahasim me moshën dhe karakteristikat trupore të personit (gjatësia, masa muskulore etj.;

frikë e vazhdueshme dhe e madhe e lidhur me shëndoshjen apo marrjen e peshës, edhe pse personi mund të jetë dukshëm nën peshë;

shqetësime të vazhdueshme të lidhura me imazhin trupor dhe vlerësime jorealiste për peshën apo format trupore, duke i gjykuar në vazhdimësi ato si negative.

Ndonjëherë kjo mund të çojë në mohim të problemeve të lidhura me peshën e ulët. Pra, edhe pse personi mund të jetë nënpeshë, sërish i duket vetja shumë i/e shëndoshë.

Çrregullim fizik apo psikologjik?

Sipas një studimi të fundit ndërkombëtar, çrregullimi i të ngrënit është si një sëmundje, që vjen nga trupi, po aq sa nga mendja.

Studimi i botuar në “Nature Genetic” tregoi disa mutacione të paraqitura të çrregullimit obesis-kompulsiv, si ankth dhe skizofreni.

Sipas Pengilit, ndërthuren një sërë aspektesh si biologjike, psikologjike dhe kulturore.

“Mund të këtë një predispozitë gjenetike për anoreksinë që reflektohet në tendencën tonë për të lidhur mënyrën se si reagojmë ndaj stresit me mënyrën se si ushqehemi”, thotë ai.

Më tej, psikiatri sjell dhe shembullin: disa prej nesh nën stres konsumojnë më shumë ushqim, ndërsa të tjerëve ju ndërpritet fare oreksi kur përjetojnë stres.

Gjithashtu, ka shumë faktorë psikologjikë që ndikojnë në krijimin e anoreksisë, të cilët, potencon specialisti, përmblidhen në dy faktorë kryesorë:

Perfeksionizëm dhe nevojë shumë e lartë për kontroll që, në rastin e anoreksisë, manifestohet te kontrolli i ushqimit, peshës dhe formës trupore.

Si trajtohet?

“Është e rëndësishme të theksohet se me trajtimin e duhur, 50% e personave që vuajnë nga anoreksia shërohen plotësisht, ndërsa 30% përmirësohen ndjeshëm”, këshillon Pengili.

Trajtimi kryesor që përdoret është psikoterapia, shoqëruar me dietë të këshilluar nga nutritionistët.

Bazuar në kërkime të ndryshme shkencore, të paktën dy prej drejtimeve psiko-terapeutike kanë rezultuar më efikase në trajtimin e anoreksisë që janë “terapia konjitiv bihejviorale e çregullimeve të të ngrënit (CBT-E) dhe terapia ndërpresonale”, përmbyll mjeku.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore