Lajme

Drafti i Ramës, Abbott: Kosova t’i dëgjojë këshillat e miqve – duhet përparim, propozim, ndryshim


Nicholas Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, pas takimit të rregullt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar propozimin e kreut të ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, i cili tha se një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tashmë ua ka dorëzuar kancelarive evropiane.

“Shqipëria është shtet shumë i afërt me Kosovën, e di që flasin qeveri me qeveri. E di që javën e ardhshme kanë takim, jam i sigurt që do të flasin për shumë çështje. Qeveria e Kosovës të dëgjojë për këto, të gjejë mënyrën e duhur para, por një që tregon mirëkuptim për brengat e miqve”, tha Abbott.

Diplomati britanik i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta dëgjojë edhe bashkësinë e organizuar ndërkombëtare për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për qetësimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Shpresoj që ditët e ardhshme të shohim përparim, propozim, ndryshim, më tepër bashkëpunim mes agjencive të sigurisë. Si ambasador, po flas me njerëz të ndryshëm për të zbuluar cila është mënyra më e mirë para. Është kohë e vështirë. Duhet të jetë normale për Kosovën që të dëgjojë këshillat nga shokët e partnerët”.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet propozimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se e ka hartuar ekzekutivi kosovar, por – për arsye të panjohura – nuk po duan ta publikojnë.

Kreu i ekzekutivit kosovar, pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, ku u prezantua draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Ekipi Menaxhues, pati thënë se ka dhënë “modelin kroat” si “draft-vizion” për këtë mekanizëm.

Kryeministri Kurti ka thënë se draft-statuti i Ekipit Menaxhues është i papranueshëm ngase bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës – një “dëshirë e zjarrtë” për Republikë Serbe në Kosovë – kurse diplomatët perëndimorë e patën vlerësuar atë si “pikënisje” drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atnantike të Kosovës. Tash, nga kryeministri Kurti po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për medie të enjten, njoftoi se një ekip i përbërë nga ekspertët ndërkombëtarë ka hartuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ai ka thënë se këtë dokument ua ka përcjellur liderëve në Francë dhe Gjermani.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore