Lajme

Dita kur nisi lufta në Kosovë


Prekaz, 1998 – Shaban Jashari ishte duke pritur syfyrin e asaj nate.

Ishte gati fundi i Muajit të Ramazanit dhe lëvizjet e njerëzve çuditërisht dukeshin të shpeshta.

Atë natë janari, diku rreth orës 3 të mëngjesit, fëmijët që ende kishin qenë zgjuar, kishin ndjerë lëvizje në stallën e buallicave. Në odë, në shtëpinë afër rrugës, ku edhe rrinte Shaban Jashari, ishte qetë.

Nëna e Adem dhe Hamzë Jasharit, një plakë e kërrusur nga mundimet e kohës, kishte mbetur zgjuar me djemtë dhe me mbesat.

Frëngjia, siç e quante Shaban Jashari të nesërmen dritaren e vogël të odës së tij, ishte vendi ku ai hetonte lëvizjet e të panjohurve. Kështu kishte bërë me vite. Atë natë kishte derdhur një breshëri në shpinën e njërit nga sulmuesit dhe e kishte hedhur përtokë.

Kështu rrëfente para dhjetëra njerëzve, të nesërmen, tregimin për sulmin e bërë në mëngjesin e asaj dite.

“E kemi dijtë se nji ditë ka me ardhë dhe nuk na kishin gjetë të papërgatitun. Qe disa vjet kemi ju kemi thanë se po na shëtisin afër shpisë”, rrëfente plaku Shaban, zëshëm, në odën e tij të mbushur me mysafirët e ardhur nga të gjitha anët e Kosovës.

Lajmi, të nesërmen, kishte marrë dhenë.

Për Jasharajt asgjë nuk ishte e befasishme.

Madje, as për dy krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Fehmi Aganin dhe Edita Tahirin – që kishin shkuar atë ditë në odën e Jasharajve.

Më vonë, të gjitha m’u lidhën me rrëfimin e Bujar Bukoshit, në Tiranë, kur tregonte se si ai e kishte takuar disa herë Adem Jasharin nga Prekazi, në vitet ’92-‘94. Nuk thoshte çka kishin biseduar krejt brenda, por pohonte ta ketë ditur se këtyre njerëzve duhet ndihmuar dhe duhet bërë pasaportat për të ikur në Perëndim.

I tërë grupi i shoqëruar nga Adem Jashari, edhe pse kishin kërkuar pasaportat shqiptare, nuk e kishin pritur atë ditë për pasaportat e premtuara, por ishin kthyer në Kosovë.

Natyra e bisedës me Bukoshin më bënte të qartë se ai e dinte mirë kush ishte ai. Por, e dinte, gjithashtu, se ata flinin në njëfarë hoteli të ushtrisë, në Tiranë.

Mehmet Kraja, Shefi i Zyrës së Kosovës në Tiranë asokohe, e përshkruante njohjen me Ademin.

“Adem Jashari ishte një ndër vizitorët e shpeshtë të Zyrës së Kosovës. Dhe, natyrisht, atëbotë, Ademi s’kishte asgjë kundër Rugovës dhe LDK-së”.

Edhe fotografia me Rugovën në një konferencë shtypi në Aeroportin e Rinasit kishte të njëjtin reflektim. Dëshmitari i vetëm i organizimit të konferencës dhe fotografimit në zyrat e Aeroportit, Mehmet Kraja, asnjëherë nuk kishte menduar se do të spekulohej me një detaj të parëndësishëm çfarë ishte fotoja në Rinas. Kush kishte menduar se historia do ta merret këtë rrjedhë. Rugova jo se jo, por as vetë Adem Jashari.

Udhëtimi për në Rinas, sipas Krajës, dukej kështu.

Rugova kishte paralajmëruar Mehmet Krajën se do të zbriste në Rinas pas kthimit nga SHBA, ku thuhej se kishte pasur një vizitë të suksesshme. Se sa kishte qenë kjo vizitë e suksesshme, nuk ishte vështirë të paramendohej.

Mehmet Kraja, si Shef i Zyrës së Kosovës, kishte organizuar një konferencë shtypi për gazetarë.

“Si përfaqësues i Zyrës, me rastin e kthimit, i organizova një takim me gazetarë, pikërisht në Aeroportin e Rinasit. Duhet të pranoj se numri i gazetarëve që morën mundim të vinin në Rinas, nuk ishte aq i madh, kështu që në takim me gazetarë dominuan kosovarët e pranishëm në Tiranë. Adem Jashari ishte njëri prej tyre, i cili para se të niseshim për Rinas, kërkoi t’i bashkohej grupit tonë. Ai erdhi në Rinas dhe fotografia spekulative u bë në lokalet zyrtare të Aeroportit”, thotë Kraja.

Këto kishin qenë disa nga ngjarjet që i kishin paraprirë sulmit të forcave serbe mbi Familjen Jashari, një sulmi i pritur edhe nga vetë të sulmuarit. Dhe, sulmi i janarit ishte ai që, bashkë me vargun e mija njerëzve që kishin mësyrë Prekazin, të më sillte edhe mua si gazetar në familjen Jashari, bashkë me kolegët e mi gazetarë, Dukagjin Goranin e Adem Metën.

Adem Metaj, korrespondent i Kohës ditore nga Skenderaj, me gisht tregonte pirgun e lartë në Fabrikën e Municionit, siç i thoshte ai. Prej aty përgjohej Familja Jashari dhe i tërë Prekazi.

Fabrika ishte vendi ku strehoheshin policët dhe paramilitarët serbë. Thuhej se brenda ishte një ndërtesë, ku askush nuk kishte qasje, aq mirë ishte e ruajtur nga policët serbë. Fabrika ishte fqinji i parë i shtëpive Jashari. I ndante një pyll i dendur dhe shtëpitë mund të sulmoheshin në çdo çast.

UÇK më nuk ishte tabu.

Herët në mëngjes pamë dhjetëra ushtarë me uniformë dhe simbole të UÇK-së, të cilët rinovonin shtëpinë e sulmuar të Jasharajve.

“Cili është Adem Jashari”, pyeta Adem Metën.

“Ai, në mes… Ja, ai aty, që rri i qetë”, tha.

Për herë të parë e kishim takuar Adem Jasharin, i cili rrinte në mes të oborrit. Nuk kishte mjekër, siç e pamë më vonë nëpër kaseta dhe fotografi, por dukej burrë i pashëm dhe me një qetësi të jashtëzakonshme. Pak i thinjur dhe flokët nuk i kishte të gjatë. Bluzën e sipërme e kishte ushtarake, pantallonat civile, kurse çizmet i kishte gjysmë të zgjidhura. Vëllai i tij, Hamza, ishte lart në ballkonin e katit të dytë, duke eliminuar pasojat e sulmit. Hamza dukej ndryshe.

Adem Jashari pranoi të rrëfente për sulmin. Disa gazetarë të huaj dhe pak të tjerë të vendit, si dhe diplomatë të mbledhur, qëndronin në rreth, derisa shëtisnim me Ademin – i cili  shpjegonte në detaje si ishte sulmuar shtëpia një natë më parë. Me të ishte edhe Osmani (ai tha se ky është daja Osman), të cilin më vonë e pamë edhe në odë të Shabanit, tek rrinte në anën e djathtë të tij. Dukej se ai ishte më i mprehtë politikisht dhe më i zëshëm, kur duhej të flitej për ato probleme.

Lufta ishte bërë në dy anë, nga rruga dhe nga mali, rrëfente Adem Jashari.

“Një grup kishte ardhë prej rrugës. Një tjetër nga mali, kurse një tjetër ishte futë në ahrin e bagëtisë. Nana i ka vërejtë lëvizjet”, thoshte Ademi. “Ajo ka qenë hala çuet. Pushkët te kryet i kishim. Gjithmonë varur afër vetes i kemi. Kjo edhe na ka shpëtu prej sulmit. Rafali i parë ka ardhë prej anës së sipërme (ana e sipërme ishte dera që e ndante shtëpinë e Jasharajve me malin dhe telat e Fabrikës së Municionit). Nuk ishte top, por plumbat ishin të kalibrit të madh”.

Fliste për plumbat që kishin goditur katin e sipërm të shtëpisë. Thoshte se përballë shtëpisë – ishte vendosur një mitraloz që nuk i linte të merrnin frymë.

“I kam thirrë trimat në ndihmë… E kishim hallin e plakut, sepse ishte në odë vetëm, me një nip njëmbëdhjetëvjeçar. Por, e pamë se ai kishte fillue luftën. Dhe, ne ia krisëm këndej. Nuk ka zgjatë shumë lufta. Ndërkohë na kishin ardhë në ndihmë edhe trimat”, rrëfente Adem Jashari.

Rrëfimi i axhës Shaban ishte tjetër.

Ndërtesa ishte bërë rrëmujë. Si duket, kishin provuar të hynin brenda. Plaku i vetëm e kishte mbajtur frontin në pjesën e poshtme. Së paku, kështu rrëfente në fillim. Por, më vonë i shpëtoi fjala, duke thënë se edhe nipi, i cili flinte më të në odën e madhe, e kishte ndihmuar, duke shkrepur disa breshëri.

“Ia përplasa shpinës dhe e shtriva për tokë, por iku prapë. Ia krisa prej kësaj penxhereje”.

Tregonte me gjeste se si e kishte hapur dritaren dhe ia kishte shkrepur.

“I pashë. Kjo frëngji më ndihmon shumë”.

Derisa baca Shaban rrëfente për sulmin, brenda kishin hyrë dhjetëra djem e të rinj me uniforma.

Prapa derës kishin vënë dhjetëra armë të ndryshme, bazuka, mitralozë, kallashnikovë etj.

“Hajdeni trima”, u tha baca Shaban.

“Uluni. A e këqyrët terrenin. A ishte pastër?”

Shabani këto fjalë ia thoshte Osmanit.

“Jepja Osman dikah”.

Ishte kjo një teknikë e stërholluar dhe e mirë e bisedave nëpër odat kosovare. Ikëm nga një fillim i një muhabeti të ri. Lëshuam rrugën e dhjetëra njerëzve që vinin për të vizituar Jasharajt.

“Mirupafshim, në luftën e re!”,  më tha korrespodenti Adem Meta, posa dolëm nga dera e Jasharajve.

Dukagjini Gorani, si i rrëmbyeshëm që është, ishte fascinuar me pamjen. Thoshte se kjo është luftë dhe lutej ta dinim se ku po shkonim.

Lufta e vërtetë filloi, vetëm një muaj më vonë. Në Likoshan dhe Qirez.

Ndodhi, pra, që pas 22 janarit gjithçka të ishte ndryshe. Familja Jashari në Prekaz qe identifikuar si shënjestër e Serbisë. E, Drenica – si vend ku dita përfundonte herët.

Bashkë me Veton Surroin e Ylber Hysën nga Koha ditore, në mesditën e 28 shkurtit, me veturë, u nisëm për Likoshan. Asnjëri nesh nuk e dinim ku ndodhej Likoshani. Na thanë se është matanë qytezës së Gllogocit.

Një shkëmbim plumbash e kishte nisur rrethimin e fshatit Likoshan. Një diplomat në Beograd kishte marrë lajmin se në një fshat të Drenicës kishte pasur luftime. E dinte, saktësisht, se luftimet ishin në vazhdim e sipër.

Nuk besonim se përmasat e konfliktit ishin aq të mëdha, sa të mbyllej rruga dhe hyrja në Gllogoc.

Kësaj radhe, nuk deshëm ta rrezikonim asnjërin nga gazetarët e rinj. Vendosëm të niseshim vetë, drejt vendit të ngjarjes. Në Likoshan.

Mitsubishi i kuq rrufeshëm shkonte drejt Gllogocit, duke shpresuar se do të mund të ishim dëshmitarë të një konflikti të pabarabartë, që tashmë kishte filluar. U nisëm me shpresë se mund të ndihmonim diçka. Ose, edhe të shihnim, nga afër, se çfarë po ndodhte në të vërtetë.

Pamja në udhëkryqin e Komoranit tregonte qartë për natyrën e konfliktit. Disa autoblinda dhe një tank kishin mbyllur të gjitha hyrjet e Gllogocit. Veturat e policisë dhe të civilëve serbë dilnin me shpejtësi nga ajo anë dhe merrnin rrugën kah Prishtina.

Për disa minuta qëndruam në udhëkryq, duke pritur lejekalimin për hyrje në Gllogoc. Por, kjo nuk ndodhi. U kthyem në Prishtinë. Në redaksi. Asnjëri nga gazetarët nuk e dinte saktësisht Likoshanin. Pos njërit, Avni Zogianit. M’u kujtua harta e varur në murin e redaksisë, që  e kishim vendosur menjëherë pas luftës së 22  janarit në Prekaz. Një hartë e madhe e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës identifikonte thuaja të gjitha fshatrat e Kosovës. E gjetëm Likoshanin. Por, nuk e dinim si hyhej atje.

Avniu gjeti zgjidhjen. U nis rrugës së Bellaqevcit, për të ndjekur pastaj një rrugë afër lumit që shpinte drejt Likoshanit. Duke kaluar këmbë dhjetëra kilometra, i kishte parë luftimet nga afër. Likoshanin e kishte gjetur shkretë. Lufta nuk ishte ndalur aty. Kishte vazhduar ndjekja e luftëtarëve deri në  fshatrat Qirez dhe Polac.

Me fotografitë e Likoshanit në duar dhe me një pamje tmerri në fytyrë, Avniu u kthye në redaksi, diku rreth orës 21.

E para gjë që na u kujtua atë çast, ishte krijimi i një “homepage” të luftës. Flaka Surroi dhe Dukagjin Gorani punuan në dizajnimin e saj. Ishte e vetmja mënyrë për ta informuar opinionin jashtë Kosovës për atë që po ndodhte.

Bilanci: dhjetë të vrarë. Ikjet e para të popullsisë brenda Kosovës.

Tashmë të gjithë besonin në luftë.

Ne që punonim në media, tashmë nuk ndiheshim të sigurt. Gazetarët e huaj ishin shpresa jonë e vetme, për ta krijuar një lloj sigurie. Nëse do të ndodhte diçka me ne, së paku, një dëshmitar e kishim.

Dhjetëra gazetarë, kameramanë e fotoreporterë tashmë ishin në Kosovë. Restorantet e Prishtinës ishin pothuajse bosh. Dyqaneve u vihej dryni herët. Pasi përfundonim punën, ecja pa dëshmitarë rrugëve të zbrazura, natën e vonë, nëpër një terr të madh, që nuk linte të shihje dy gisht para vetes, ta kallte datën. Asnjë lëvizje. Asnjë për be. Ndonjë qoshe terri a ndonjë hyrje banese ishte vendi ku legjitimimi përfundonte me rrahje për atë që policët e kishin takuar rastësisht rrugës. Vetëm qytetarët serbë mund ta përjetonin natën në Prishtinë.

Me këtë ndjenjë tmerri kemi punuar. Të vetmuar. I lusnim gazetarët e huaj të qëndronin në redaksi dhe t’i shfrytëzonin të gjitha mjetet që kishim.

Dita në Prishtinë, po ashtu, përfundonte herët. Njësoj si në Drenicë. E kishim të zorshme të hynim në “Hotel Grand”, për t’i kërkuar gazetarët dhe kameramanët e mediave botërore.

Cila ishte zgjidhja?

“Hani i dy Robertëve”.

E luta Fadil Dragajn, pronarin, ta mbante të hapur restorantin e tij. Që nga lufta e parë në Prekaz, Fadili, si gjithë të tjerët, punën e përfundonte në orën gjashtë pasdite. Ishte e vetmja shpresë t’i kishim gazetarët e huaj afër. Së paku, mund t’i informonim për krejt çfarë po ndodhte në Kosovë. Dhe, rrëfimi për Kosovën tashmë bëhej në “Han…”.

Ne dhe Qendra Serbe për Informim luftonim se kush do t’i informonte mediat e huaja. Vendtakimi për të gjithë ne, diplomatë, gazetarë, politikanë, u bë “Hani i dy Robertëve”. Aty shikoheshin incizimet e para në kamerë. Aty shkruheshin lajmet, raportet. Dhe, informoheshin të gjithë nga pak.

Kështu krijohej mozaiku i luftës së Kosovës.

Pas Betejës së Likoshanit, dita ishte e rëndë. Mijëra qytetarë kishin dalë në demonstratë. Tashmë në Prishtinë kishin arritur të gjithë diplomatët. Dhjetëra nga ata kishin vërshuar zyrat e Kohës Ditore.

Dolëm edhe ne në demonstratë, e cila po mbahej afër Fakultetit Filozofik, për të marshuar tutje, kah qendra e qytetit.

Rendit të parë iu bashkua profesor Fatmir Sejdiu. Zekeria Cana, i zhurmshëm siç është, po ashtu në rendin e parë. Edhe Vetoni Surroi zuri vend aty. Unë dhe Dukagjin Gorani u gjetëm në skajin e majtë të tyre.

Një kamion blu dhe qindra policë u nisën drejt nesh. Na ndanin vetëm disa metra. Në çast, kamioni nisi të hidhte ujë, furishëm, më një shtypje të madhe.

Surroi dhe Sejdiu lidhën duart mes vete dhe u ulën këmbëkryq në tokë. Uji i vrullshëm hidhej mbi trupat dhe dinjitetin e tyre. Profesor Sejdiu përpiqej ta mbulonte fytyrën me duar. Surroi, jo, i mbante duart mbi gjunjë. Më vonë, të dy ata, përpiqeshin ta mbronin kokën, që t’i shpëtonin kondakëve të fortë e të pamëshirshëm të policisë serbe.

Të gjithë ne ikëm. I lamë vetëm.

Në rrugicat përreth kishin filluar rrahjet. Ishim të rrethuar plotësisht. Rrugicat te “Qyteza Pejton” ishin të mbushura me policë. Drejt Veton Surroit dje Fatmir Sejdiut ishin sulur edhe dhjetëra policë të tjerë. Kondakët e pushkëve përplaseshin mbi ta fuqishëm. Nuk e besuam se do të shpëtonin të gjallë.

Goditeshim pa mëshirë nga çdo polic që takonim, derisa me vështirësi të mëdha arritëm te ndërtesa e Rilindjes. E kam takuar njërin nga gazetarët, Muharrem Nitaj, më duket se ishte. Na tha se policët kishin hyrë në zyrën e korrespondentëve dhe kishin rrahur Ibrahim Osmanin dhe Sherif Konjufcën.

Jemi nisur me Julian Braithwaite, diplomat, për t’i ndihmuar ata. Duke hyrë brenda, kemi dëgjuar britmat e Sherifit dhe ofshamat e Ibrahimit. Lëkura u ishte nxirë nga goditjet. Ibrahim Osmani kishte lënë diktafonin hapur dhe kishte shtypur sustën e kuqe të incizimit. Goditjet dhe britmat e tyre ishin regjistruar në shirit.

I nxorëm nga aty me një veturë diplomatike. Julian rrezikonte të dëbohej nga “RFJ” për shkak të lëvizjeve të tij të pakontrolluara. As e çante kokën. E kishte vendosur të ndihmonte. Dhe e bëri. Që nga ajo ditë, identifikohej si James Bond diplomat. Kishte thyer rregullat dhe nuk shqetësohej fare.

Ibrahimin dhe Sherifin i dërguam në një ambulancë në lagjen e Velanisë. Ndërkohë, nuk dinim asgjë për shëndetin e Fatmir Sejdiut. Veton Surroi ishte goditur fort në kokë dhe në krahun e majtë. Me gjithë dhimbjen që kishte, rrëfente para shumë gazetarëve dhe diplomatëve që kishin ardhur në redaksi.

Të rrahurit dhe viktimat nga policia tashmë ishin vetëm numra. Nuk kishte ambulancë që s’kishte pranuar të rrahur dhe me vragë.

Krejt kjo, tashmë, ishte çmendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore