Shqipëria

“Probleme me 7 apo 8 vëzhgues të kandidatit Shehaj, arsyet janë të qarta”


Kryetari i Komisionit Zgjedhor i Partisë Demokratike (PD), Jemin Gjana, në një deklaratë për shtyp, të dielën e 13 qershorit njoftoi parregullsitë gjatë procesit të votimit për kreun e PD-së.

“Nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues”, tha Gjana duke shpjeguar se deri mbrëmjen e 12 qershorit në orën 12.30, ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët për deputet dhe përfaqësuesit e tyre.

“Kemi pasur probleme në shtata apo tetë raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj. Për arsye se erdhën disa propozime që u rrëzuan në Komisione”, tha ai ndërsa ka vijuar me sqarimin e arsyeve.

“Ose nuk kanë pasur kartë anëtarësie dhe nuk kanë qenë në listën e anëtarësisë, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër”.

I pari i Komisionit Zgjedhor të PD-së, ka thënë se, nuk është pranuar që vëzhguesi i kandidatit  Shehajt në Kavajë të jetë një anëtar partie i Rogozhinës. Si dhe nuk është pranuar që vëzhguesi i Kandidatit Shehaj në Maliq, të jetë një anëtar partie e Korçës, sipas Gjanës.

“Vetëm në orët e mëngjesit, deri tani, për llogari të zotit Shehaj janë marrë vendime dhe janë plotësuar me përfaqësues të tjerë ose me përfaqësues të sapo propozuar; Kruja, Lushnja, Dega 4 Kavaja Maliqi Shkodra (që ende nuk futet përfaqësuesi i tjetër), Se kanë luajtur dy vëllezër në emrat e tyre”, tha kryekomisioneri.

Po ashtu është shpjeguar dhe rasti i zëvendësimit të vëzhgueses të kandidatit, Agron Shehaj, e cila sipas Jemin Gjanës, shkaktoi probleme në qendrën e votimit për dy orë rresht ndaj ka marrë penalitet dhe është përjashtuar nga qendra e votimit.

Sa i përket pjesëmarrjes në këtë proces, sipas Gjanës, me të dhënat e orës 10.30, 12 mijë e 928 demokratë i janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kreun e tyre.

Një shifër kjo, që sipas kryetarit, shkon në 17.2%.

“Përgjithësisht procesi ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa në fillimin  procesit. Në dy- tre raste ka pasur ndërprerje për efekt të qartësimit të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet me komision dhe procesi ka vijuar”, tha ai.

Demokratët gati për të zgjedhur kreun e tyre

Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike kanë nisur mëngjesin e kësaj dite, me fluksin e parë të anëtarësisë demokrate që i është drejtuar kutive të votimit.

Ndërkaq përballë Bashës janë Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi. Pritet që këta të fundit të paraqiten për të votuar rreth orës 11:00.

Kadilli dhe Shehaj, votojnë në selinë e Partisë Demokratike. Ndërsa, Harxhi voton pranë selisë së Partisë Demokratike në lagjen “Komuna e Parisit”.

Janë 75 mijë anëtarë të PD-së, të cilët kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e ri. Rezultati pritet të shpallet mëngjesin e 14 qershorit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore