Lajme

Deputeti serb: Vuçiç-it i është dhënë një afat – Perëndimi s’do të tolerojë më zbatimin e vullnetit të Putin-it


Aleksandër Olenik

Avokati dhe deputeti serb në Kuvendin e Serbisë, Aleksandër Olenik, tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar gabimin që kanë bërë si në Mal të Zi ashtu edhe në rajon, duke mbështetur politikën nacionaliste, të gjitha me synimin për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai në një intervistë për portalin malazez “Analitika” tha se intensifikimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së, tregon se megjithatë janë nxjerrë disa mësime.

“Lëvizjet e BE-së dhe SHBA-së i interpretoj sikur e vërejtën gabimin që e kishin bërë në Ballkanin Perëndimor dhe filluan të punojnë në atë drejtim që duhej të punonin përgjatë gjithë këtyre viteve”, tha Olenik.

Ndonëse maratona e dialogut me propozimin evropian ka hyrë në 100 metërshin e fundit, në korridoret e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë ditëve të fundit fjala “zgjedhje” po bënë jehonë.

Megjithatë, ai theksoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “nuk guxon të shpallë zgjedhje derisa të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën, sepse i është shpjeguar se çdo thirrje për zgjedhje do të kuptohej si përgjigje negative ndaj propozimit”.

Ndryshe, në Podgoricë, kryeqytetin e Mal të Zi, nacionalistët serbë kanë mbajtur një tubim të dielen në mbështetje të pushtimit rus në Ukrainë. Ata poashtu kënduan edhe këngë shoviniste për Kosovën.

Prandaj, deputeti serb potencoi se Vuçiç-it i është dhënë një afat deri kur duhet ta zgjidhë çështjen e Kosovës, madje shtoi se atij i është dhënë në fakt edhe një afat “deri kur do të tolerojë tërbimin nacionalist në rajon dhe zbatimin e vullnetit të (Vladmir) Putinit dhe propagandës së tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore