Lajme

Departamenti i Shtetit emëron koordinatorin e ri, do hetojë rastet e “Sindromës Havana”


Departamenti i Shtetit emëroi të premten një koordinator të ri, i cili do të hetojë për rastet e të ashtuquajturës Sindroma e Havana-s, duke iu përgjigjur presionit të shtuar nga ligjvënësit për të hetuar dhe për t’iu përgjigjur qindra lëndimeve të trurit të raportuara nga diplomatët dhe oficerët e inteligjencës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, emëroi një zëvendës të rangut të lartë, Jonathan Moore, për të koordinuar grupin e punës të departamentit për rastet.

Ai zëvendësoi Pamela Spratlen, diplomate në pension, e thirrur përkohësisht në shërbim nga Blinken përpara se të largohej në shtator. Ajo ishte përballur me kritika nga disa viktima.

Blinken emëroi po ashtu ambasadoren në pension, Margaret Uyehara, për të udhëhequr përpjekjet për të mbështetur drejtpërdrejt kujdesin për punonjësit e Departamentit të Shtetit.

Hetuesit kanë studiuar një numër në rritje të rasteve të raportuara nga personeli amerikan në mbarë botën.

Njerëzit e prekur kanë raportuar dhimbje koke, marramendje, vjellje dhe simptoma të tjera në përputhje me lëndimet traumatike të trurit.

Mundësitë në shqyrtim përfshijnë përdorimin e një mjeti vëzhgimi, ose një pajisjeje që synon të dëmtojë.

Rastet njihen si “Sindroma e Havana-s”, që daton nga një seri lëndimesh të raportuara të trurit në vitin 2016 në Ambasadën e SHBA-ve në Kubë.

Pas vitesh hetimesh, qeveria amerikane ende nuk ka identifikuar publikisht se çfarë ose kush mund të qëndrojë pas incidenteve ose nëse ato janë, në fakt, sulme.

Drejtuesit në departamentet e shtetit dhe të mbrojtjes dhe në CIA i kanë shtyrë punonjësit të raportojnë lëndime të mundshme të trurit dhe në disa raste kanë hequr drejtuesit që janë parë si mosdashës ndaj rasteve.

“Kjo ka të bëjë me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve tanë dhe nuk ka asgjë që ne të marrim më seriozisht”, deklaroi Blinken të premten.

Disa qindra raste janë nën hetim.

Departamenti i Shtetit tha të premten se zëvendëssekretari Brian McKeon ishte takuar me diplomatë në Vjenë për të diskutuar rastet e mundshme të raportuara këtë vit në Austri.

Si demokratët, edhe republikanët i kanë bërë presion administratës së Presidentit Joe Biden për të përcaktuar se kush dhe çfarë mund të jetë përgjegjës për rastet dhe të përmirësojë trajtimin për viktimat, shumë prej të cilëve prej kohësh kanë thënë se zyrtarët qeveritarë nuk po i marrin seriozisht rastet e tyre.

Biden, në fillim të këtij muaji, nënshkroi një projekt-ligj, sipas të cilit synohet përmirësimi i kujdesit mjekësor për viktimat.

Çfarë është Sindroma Havana?

Sindroma Havana është një seri simptomash të pashpjegueshme mjekësore të përjetuara për herë të parë nga personeli i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve të vendosur në Kubë, duke filluar në fund të vitit 2016.

Pas ngjarjes, në vitin 2018, u botua një studim shkencor i të prekurve në Kubë, i cili zbuloi se, diplomatët kishin përjetuar një formë të dëmtimit të trurit.

Si shpjegim më të besueshëm, një panel i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Shteteve tё Bashkuara tregoi vitin e kaluar, “energjinë e pulsuar të frekuencës së radios”.

Megjithatë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi në qershor se, do të ndërmerrte një rishikim të detajuar për të zbuluar shkaqet e sëmundjes.

“Një grup pune, i udhëhequr nga një zyrtar i CIA-s, dikur i përfshirë në kërkimin e Osama Bin Laden, është dedikuar për të zbuluar shkaqet e sindromës”, njoftoi në fillim të kësaj jave një burim i qeverisë amerikane për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Më herët, Burns kishte deklaruar se, “ekziston një mundësi shumë e madhe që sindroma mund të jetë shkaktuar qëllimisht dhe sugjeroi se mbrapa saj mund të jetë Rusia”.

Por, Moska e mohoi diçka të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore