Lajme

Dekoratat presidenciale të praruara në ar u shpërndanë pa karar


Mijëra dekorata janë shpërndarë nga presidentët e Kosovës gjatë mandatit të tyre si të parët e shtetit.

Rekordin e ndarjes së dekoratave e mban ish-presidenti, Hashim Thaçi me 650, e më së paku ish-presidenti, Behgjet Pacolli, me vetëm një, për ato pak ditë sa e ushtroi detyrën e shefit të shtetit.

Në gusht të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mesin e shumë dekoratave, një të tillë e kishte ndarë edhe për këngëtaren e dasmave dhe ahengjeve, Shyhrete Behluli.

Me “Medaljen Presidenciale e Meritave”, ishte dekoruar Behlulin për këngët e saja, që ish-presidenti i ka konsideruar se kanë vlerë.

Edhe kolegia e Behlulit, Shkurte Fejza, është dekoruar me të njëjtën medalje, nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga në vitin 2014.

Rekordmene, në ndarje të medaljeve presidenciale, pas Thacit, Radhitet edhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Për pesë vite, Jahjaga, ndau 550 dekorata.

Ish-presidentja që ishte votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit, pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga ambasadat, një Urdhër për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr.Ibrahim Rugova”, e ka ndarë edhe për ish-ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Christopher Ë. Dell.

Atij që inicioi procedurën për ta bërë Jahjagën shefe të shtetit.

Ish-presidentja ka ndarë dekorata për gjinekolog, anesteziolog, oftalmolog, kirurg, internist, pediatër e infektolog.

Jahjaga medalje ka ndarë edhe për shoqata. Medalje Presidenciale të Meritave iu është ndarë edhe për Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës (SHBA)”, Kishës Ortodokse Autoqefale Boston (SHBA), por edhe Komitetit Islamik Shqiptar (SHBA).

Emri më i gjatë që ka marr dekoratë nga Jahjaga është Mohammed bin Zayed Al Nahyan (Abu Dhabi nga Emiratet e Bashkuara Arabe), me Urdhrin e Pavarësisë.

Në mesin e 550 të dekoruarve, një Urdhër të Pavarësisë ka ndarë edhe për shkrimtarin e përkthyer në shumë gjuhë të botës, Ismail Kadare.

Ish-presidenti, Hashim Thaçi, ka ndarë 505 dekorata, por ka ndarë edhe 112 Medalje Presidenciale në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 28 Mirënjohje Presidenciale për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Thaçi ka ndarë mirënjohje presidenciale edhe për pompa derivatesh, markete, qendra tregtare e banka.

Thaçi ka dekoruar edhe Majlinda Kelmendin me “Titulli Ambasador Nderi i Kosovës”, Dua Lipën me “Medalje Presidenciale të Meritave” dhe Rita Orën me “Medalje Presidenciale”.

Në shpërndarjen e dekoratave më pafat mund të konsiderohet, ish-presidenti më jetë shkurt, Behgjet Pacolli. Ai ka dhënë vetëm një Medalje Ambasador Nderi i Kosovës për futbollistin nga Gjermania, Franz Anton Beckenbauer.

Ndërsa, ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, nga viti 2006 deri më 2010 ka ndarë 74 dekorata.

Sejdiu gjatë kohës së tij ka dekoruar kryesisht personalitete që nuk jetonin më.

Sejdiu i kishte ndarë “Urdhri Hero i Kosovës” për Ibrahim Rugovën, Azem Galicën, Bajram Currin, Fehmi Lladrovcin, Fahri Fazliun, Zahir Pajaziti, Xhevë e Fehmi Lladrovci etj.

225 dekorata kishte ndarë ish-presidenti, Ibrahim Rugova, nga viti 2002 deri më 2006.

Rugova kishte ndarë titullin më të lartë për heroin e Kosovës, Adem Jashari, “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” dhe “Urdhri Hero i Kosovës”.

Rugova kishte ndarë një Medalje të Artë të Lidhjes së Prizrenit edhe për At Gjergj Fishtën. Po ashtu edhe për deputetin e vrarë të Partisë Demokratike në Shqipëri, Azem Hajdari.

Medalja të Artë të Lirisë, Rugova i kishte ndarë edhe Senatorit, Bob Dole, ish-sekretares së SHBA-së, Hillari Clinton, ish-shefit të diplomacisë së BE-së, Javier Solana.

Këto medalje, sipas presidencës së Kosovës, janë të punuar nga mesingu i butë, zinku dhe bakri.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post nga Bekim Kupina, këshilltar i presidencës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se prodhuesit e dekoratave janë vendor.

“Medaljet janë të punuara nga mesingu i butë (lëkurë bakri (Cu) dhe zinku (Zn) ose bakër (cu). Medaljet janë të praruara (të lara në ari), punohen me metodën e farkimit nga prodhuesit vendor”, ka treguar Kupina.

Për një medalje shteti i Kosovës paguan 134 euro.

“Çmimi për njësi për medalje (copë) është njëqind e tridhjetekatër (134.00) euro”, ka specifikuar Kupina.

Profesori i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku, ka thënë se “dekorimi nga ana e presidentit apo presidentes në fakt është një lloj, për mendimi tim, satisfaksoni social jo vetëm social por mund të jetë edhe politikë, mund të jetë edhe kulturë, mund të jetë edhe i dimensionit tjetër”.

Maloku mendon se dekorimin nga presidenca duhet të marrin njerëzit që hyjnë në kategorinë e meritkoratëve.

“Në kuptimin që personat që dekorohet vërtetë bëjnë pjesë dhe hyjnë në kategorinë e meritokratëve apo meritokrateve, për çka se ka ose kanë kontribuar në diçka, në një lami të caktuar”, ka thënë Maloku për Albanian Post.

https://president-ksgov.net/repository/docs/2017_04_13_161144_2017_03_31_132711_ATIFETE_JAHJAGA_2011__2016_EVIDENCA_E_TE_DEKORUARVE_NGA_PRESIDENTJA.pdf

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore