Shqipëria

Dashuroni blerjet online? Europol tregon si të mbroheni nga mashtruesit, edhe në Shqipëri


Blerësit online duhet të tregohen më vigjilentë se kurrë, pasi grupe të mirëstrukturuara kriminale, adaptojnë vazhdimisht metodologji të reja për mashtrimin online, duke i shtyrë njerëzit të mendojnë se po shpenzojnë për një produkt, por në të vërtetë paratë po shkojnë në tym.

Që prej fillimit të pandemisë, shumë biznese kaluan në operimin online për t’u mbajtur në këmbë. Në këtë mënyrë, edhe klientët u adaptuan. Shumë blerës, filluan t’i shihnin si domosdoshmëri blerjet online dhe t’i ushtronin ato vazhdimisht.

Mirëpo, rreziku i një sulmi të mundshëm aty, është më i madh se sa në dyqane fizike.

Dyqan fizik kundrejt dyqanit online

Për këtë arsye, Europol ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi ndaj kësaj dukurie.

Fushata #SellSafe, ka në qendër të vëmendjes shpërfaqjen e taktikave të reja për të luftuar krimin online. Qëllimi është i qartë: Të bërit blerjet në rrjet më të sigurta.

Shqipëria ka qenë një prej vendeve pjesëmarrëse në këtë fushatë.

Si rrjedhojë e bashkëveprimit midis vendeve, vetëm gjatë tetorit, 46 të dyshuar janë arrestuar. Akuza ndaj tyre ka qenë pikërisht ajo e mashtrimin online.

Vende të tjera të përfshira, kanë qenë Belgjika, Kroacia, Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Zvicra, Spanja, SHBA-të.

Po ashtu, nga fushata mujore, pritet të ketë edhe një promovim më të gjerë të fushatave të ndryshme në media sociale. Hashtagu i përdorur do të jetë ai #SellSafe.

Këshillat

Për të pasur sukses sa më të lartë, duhet domosdoshmërisht edhe ndihma e vetë blerësve.

Europol ka nxjerrë disa këshilla për ta, për të shmangur pakënaqësitë.

Ndër to, janë mosdhënia e kontakteve personale, e numrave të kartës së kreditit, dërgimi i parave apo i dokumenteve.

“Nëse nuk po blini gjë, mos i vendosni të dhënat e kartës suaj”, shkruhet ndër këshillat. Ndërkaq, bëhet e ditur edhe se është shumë e qenësishme që të ruhen të gjithë dokumentet e pas-blerjeve online.

Sakaq, vetë blerësit e kanë në duar rolin më të madh për të shmangur mashtrimet online. Kujdesi që duhet të tregojnë ndaj indikatorëve të një faqe mashtruese, janë të pasqyruar në detaje të Europol dhe mund të jetë një mënyrë e mirë e evitimit të mashtrimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore