Lajme

Çeki: Tornado vdekjeprurëse në disa fshatra


Një tornado ka përfshirë disa fshatra në Republikën Çeke, duke vrarë pesë vetë dhe duke lënë më shumë se 150 të tjerë të plagosur.

Stuhia e natës së enjte shpërtheu çatitë e ndërtesave në zonat jug-lindore Breclav dhe Hodonin, duke shkulur pemë dhe duke përmbysur makina.

Erërat janë regjistruar me të paktën 219 km/h (136 mph) dhe zonat më të goditura dukeshin si një zonë lufte.

“Ishte si një ferr”, tha guvernatori rajonal i Moravia-së Jugore, Jan Grolich.

U raportuan gurë me breshëri me madhësinë e topave të tenisit. Zyrtarët lokalë thanë se një varg fshatrash kishin pësuar dëme të konsiderueshme përgjatë një rruge 25 km (15 milje) që drejtohej nga Breclav në Hodonin, në veri-lindje.

Në fshatin Valtice, në anën tjetër të Breclav, kryebashkiaku Pavel Trojan ishte shprehur se pothuajse çdo ndërtesë ishte dëmtuar.

Qeveria tha se rreth 1 mijë shtëpi ishin prekur dhe autoritetet lokale po punonin për të siguruar strehim për njerëzit, çatitë e të cilëve ishin shkatërruar.

Michaela Bothová, një zëdhënëse e shërbimit të shpëtimit të Moravisë Jugore, i tha mediave çeke se dhjetëra njerëz ishin dërguar në spital për shërbim mjekësor.

Ekipet e shpëtimit nga i gjithë vendi, si dhe nga Austria dhe Sllovakia fqinje, janë vendosur dhe mijëra njerëz kanë mbetur pa energji.

Kryeministri Andrej Babis, i cili është në Bruksel për një samit të Bashkimit Evropian, përshkroi atë që kishte ndodhur si një apokalips.

Të paktën një e treta e shtëpive në fshatin Hrusky, me popullsi prej 1 mijë e 600 njerëz, u shkatërruan nga tornado. Vetëm 15% e ndërtesave kishin qenë të paprekura, tha nënkryetari i bashkisë, Marek Babisz.

Tornadoja dhe breshëri gurësh goditën qytetin kufitar të Hodonin, duke dëmtuar shtëpinë e të moshuarve dhe shkatërruan kopshtin zoologjik. Vreshtat e zonës u dëmtuan gjithashtu.

Situata dukej si një fushë beteje, tha Antonin Tesarik, drejtori i spitalit të Hodonin.

“Ishte një apokalips. Kishte gjak kudo dhe njerëz që qanin. Ata shpëtuan jetën e tyre dhe humbën kulmet mbi kokat e tyre”.

Tornado gjithashtu shkaktoi ndërprerje të rënda të trafikut dhe ndërprerje të energjisë. U bllokuan autostrada të tëra.

Ministri i Brendshëm çek Jan Hamacek, e përshkroi situatën si shumë të rëndë, duke thënë se të gjitha njësitë e shpëtimit po dërgoheshin në vendngjarje.

Nga ana tjetër Ministri, ka shpallur një gjendje e jashtëzakonshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore