Lajme

Borrell: Kemi dakordësinë e shumë shteteve të BE-së që të dërgojmë përforcime shtesë për EULEX-in


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi se shumë shtete anëtare (BE) janë dakord që të dërgojnë më shumë kapacitete për misionin EULEX në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur pas punimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë takimit me kryediplomatët e shteteve anëtare.

Kujtojmë që në agjendën e kësaj mbledhjeje ishte bashkangjitur dhe situata e tensionuar në veri të Kosovës.

“Kërkova nga shtetet anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë përforcime shtesë për misionin tonë EULEX dhe shumë prej tyre ranë dakord dhe të gatshëm të dërgojnë më shumë kapacitete, mbështetje më efektive, më shumë njerëz në këtë mision nëse është e nevojshme”, u shpreh fillimisht Borrell.

Sipas përfaqësuesit të lartë evropian, që nga gushti po jetojmë një rreth vicioz konfrontimesh, provokimesh dhe reagimesh që është përshkallëzuar ditët e fundit.

Kjo, duke provokuar incidente serioze të sigurisë duke përfshirë një sulm kundër misionit (EULEX) dhe ndaj policisë së Kosovës.

“Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur që vozisin rrugëve nuk është diçka që ne jemi gati ta pranojmë. Nuk do të jetë e pranueshme dhe nuk e pranojmë që të vijë nga partnerë, njerëz që aspirojnë një të ardhme evropiane”, shtoi Borrell.

Thirrja e shefit të diplomacisë evropiane ishte e qartë: “Kjo situatë duhet të marrë fund. Barrikadat duhet të hiqen”.

“Këshilli i BE-së u bën thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo dhunë dhe veprim provokues”, vërejti më tej kryediplomati.

Në përmbyllje, ai theksoi se të dyja palët kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për de-përshkallëzim.

“Shpresoj se do ta bëjnë dhe shpresoj se nuk do të fillojë përsëri përshkallëzimi”, ravijëzoi Josep Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore