Kosova

Borovci në Speciale: Në UÇK nuk ka pasur dallime partiake, janë inskenuar situata për të na përçarë


Hazir Borovci

Hazir Borovci, dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka thënë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, se në UÇK nuk kanë dikuar dallimet politike apo fetare.

“Sikur të kishte dallime, unë atëherë isha nënkryetar i degës së LDK-së, nuk ka pasur dallime as në aspektin partiak, as në aspektin fetar. Janë munduar të inskenojnë situata për të na përçarë, por kur është pyetje liria atdheu e vendi, të gjithë janë bërë bashkë edhe LDK edhe UÇK edhe subjekte të tjera”, ka shtuar ai.

Teksa tregoi për angazhimet në LDK, tha se ishte nder e kënaqësi që ishte pjesë e UÇK-së.

“Kisha angazhime në degën time, në LDK, kisha angazhime në këshillin komunal të emergjencës gjegjësisht solidaritet e po ashtu me nder e kënaqësi e them para jush që isha pjesë e UÇK-së”, shtoi ai.

Borovci, deri sa është përgjigjur në pyetjet e avokatit, Julius von Bone, ka thënë se me të akuzuarin është takuar rreth datës 2 apo 3 prill të vitit 1999 në fshatin Butovc.

“Në shtëpinë e Mustafë Sopit e kam takuar Mustafën, më herët nuk e kam njohur atë, por në bazë të thashethemeve kamë kuptuar që ishte fjala për Salih Mustafën”, ka thënë Borovci.

Ai ka thënë se me Mustafën është takuar edhe disa herë të tjera, përfshirë pjesën e dytë të muajit prill.

“Gjatë kësaj periudhe e kamë parë disa here dhe kemi biseduar jo shumë herë. Kur e kam parë herën e parë, Mustafa i këshillonte u jepte moral popullatës civile si të ndihmojnë njëri tjetri, si t’i ndihmojnë fëmijët, ne na sugjeronte mos ta lëmë popullatën vetëm”, ka thënë ai.

Borovci gjatë dëshmisë së tij ka përshkruar dukjen e Salih Mustafës gjatë luftës me ç’rast ka thënë se i njëjti kishte një xhaketë të ngjyrës së gjelbër duke shtuar se nuk ka pasur diçka të veçantë në dukjen e tij.

Seanca e fundit për këtë rast, është mbajtur të martën, gjatë të cilës është dëgjuar dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Jakup Ismaili.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore