Kosova

Bogujevci: Të punojmë së bashku për të arritur marrëveshje të paqes si rajon


Sesionit i Tetë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit së Evropës Juglindore

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se duhet punuar për të arritur një marrëveshje të përbashkët të paqes si rajon.

Ajo iu drejtua pjesëmarrësve online, “për të eliminuar çfarëdo mundësie të konfliktit apo kërcënimit të sigurisë përbrenda rajonit, sugjeroj që të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje të përbashkët të paqes si rajon, e që do të dërgonte sinjal të fuqishëm të vendet tjera të Bashkimit Evropian”, këto Bogujevci i tha gjatë Sesionit të Tetë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Zëvendës kryesuesi i delegacionit serb, Gjorgje Miliçeviq në fjalimin e tij fokus kryesor kishte Kosovën.

Sipas tij, Kosova “është duke injoruar marrëveshjen e Brukselit dhe se popullata dhe kisha serbe në Kosovë janë të rrezikuara“.

Kurse Deputetja e Kuvendit të Kosovës , Fitore Pacolli Dalipi, tha se nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila iu drejtua me një fjalë rasti Asamblesë, ka pasur mundësi të drejtohet me një gjuhë tjetër ndaj Serbisë.

Ajo shtoi se Saranda ishte vetëm 13 vjeçe kur në trupin e saj u shkrepën dhjetëra plumba, duke mbijetuar, përkundër se në trupin e saj të njomë kishte 16 plumba. Por, ajo zgjodhi gjuhën e bashkëpunimit.

“Dua t’ju njoftoj se ne anëtarët e delegacionit të Prishtinës që jemi prezent sot, e kemi parë vdekjen me sy kur ushtria serbe pamëshirshëm pati sulmuar Kosovën. Ne ishim fëmijë atëherë. U detyruam të ikim nga shtëpitë tona”, tha Pacolli.

Ndërsa theksoi se “Serbia ka vrarë të afërmit, shokët e shoqet tona. Ka masakruar fëmijë e gra. Serbia ka dhunuar mbi 20.000 gra. Për ne është vështirë të ulemi e të flasim për bashkëpunim me Serbinë e cila na ka vrarë e masakruar dhe akoma nuk ka kërkuar falje për atë që ka bërë. Por, ne kemi zgjedhur gjuhën e bashkëpunimit sepse besojmë që rruga jonë e vetme drejt të ardhmes është përmes bashkëpunimit“.

Asambleja Parlamentare e SEECP është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore.

Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e SEECP/PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta.

Ndërsa gjatë Kryesimit njëvjeçar të Kosovës me SEECP, u vendos që Kosova të kryesojë me dy Komisionet e përgjithshme të Asamblesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore