Lajme

Bislimi rendit gjashtë pikat që Serbia ka shkelur në dialog


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në intervistën për CNN, duke thënë se kanë qenë informacione “të pasakta”.

Për deklaratën e Vuçiç-it, se Serbia ka zbatuar të gjitha marrëveshjet nga prilli i 2013 e deri më sot, Bislimi e ka quajtur deklaratë “propagandistike” dhe “totalisht jokoherente me realitetin”.

Ai tutje ka listuar vetëm disa nga shkeljet që Serbia ia ka bërë Kosovës në procesin e dialogut.

“Marrëveshja e vitit 2013, ka përshkruar shuarjen e strukturave paralele ilegale. Duke vazhduar t’i mbajë strukturat paralele në veri të vendit aktive dhe duke ofruar paga për personat që mbajnë ato funksione, Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk e përmbushi këtë obligim”.

“Një dështim efektin e së cilës po e ndjejmë edhe sot me tensionet e shkaktuara nga këto elemente kriminale në veri, ku huliganët e bandat të dirigjuara nga Beogradi po vazhdojnë të mbrojnë këto institucione paralele”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’. 

Pika tjetër e shkeljes së marrëveshjes, sipas Bislimit, është ajo ku është thënë se Serbia nuk do ta njoh asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

“Dëftimet e premtimet e panumërta nga figura të larta, që Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës janë shkelje direkte e marrëveshjes bazike të 27 Shkurtit si dhe kundër parimeve të normalizimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Ndër të tjera, Bislimi ka përmendur edhe insistimin e Serbisë që Kosova të mos jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

Insistim ky i cili bëhet nga Serbia në secilën organizatë ndërkombëtarë që Kosova dëshiron të jetë pjesë.

“Vota e Serbisë kundër aplikimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës është shkelje e cila është njohur edhe nga Parlamenti Evropian i cili i bën thirrje Serbisë që ta ndryshojë votën sa më parë;

“Lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe fushatat për çnjohjen e Republikës së Kosovës, njihen mirë tashmë sepse vetë ato janë bërë publike nga i njëjti president i Serbisë”.

Teksa ka përmendur edhe Veriun ku Serbia përmes deklaratave të saj për këtë pjesë e cënon “integritetin territorial të Kosovës”.

“Deklaratat e vazhdueshme ku veriut të Republikës së Kosovës i referohet si zonë e okupuar, dëftim i cili haptazi është cënim i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe është kundër gjithë parimeve të normalizimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

“Për më tepër, e njëjta qeveri e i njëjti president, për vite me radhë, ka kërcënuar pluralizmin demokratik përbrenda komunitetit Serb në Kosovë duke imponuar vetëm një parti politike e cila kontrollohet direkt nga Beogradi”.

Ai tutje ka thënë se të gjitha këto shkelje kanë pasur edhe pasojat negative, por për komunitetin serb.

“Kjo frymë autokrate e përcjellur direkt nga Beogradi, e ka lënë komunitetin serb për muaj me rradhë pa përfaqësim në institucionet e Republikës së Kosovës, jashtë kandidimit në zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore”.

“Pluralizmi politik është një nga vlerat demokratike që e karakterizon mjedisin politik në Kosovë për të gjitha komunitetet, përveç atij serb, i cili fatkeqësisht me presion e kërcënime nga Beogradi është shtypur dhe shantazhuar në çdo çast që ka pasur tendenca të krijohen parti të tjera politike të komunitetit serb në Kosovë”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, sqaroi se këto janë vetëm disa nga shkeljet që Serbia i ka bërë marrëveshjeve që janë dakorduar gjatë procesit të dialogut me Kosovën.

“Shkelje të cilat shpërfaqin tendencë për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, bllokimin e rrugës evropiane të vendit, si dhe antagonizëm të plotë kundrejt parimeve të raporteve të mira fqinjësore dhe vlerave evropiane e demokratike”.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore