Lajme

Biden: Nuk ka falje, do ta paguani këtë sulm


“Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e ka bërë të qartë përgjigjen ndaj grupit terrorist ISIS-K, i cili kreu disa sulme terroriste kamikaze, duke lënë të vrarë rreth 80 persona, prej të cilëve 13 trupa amerikane.

Thuajse i përlotur, duke kujtuar kohën kur ai vetë ka qenë për gjashtë muaj pjesë e luftës së Kosovës, Biden shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve.

“Ata që humbën jetën sot janë heronj. Kanë qenë ushtarët më të guximshëm dhe më të zotë në botë. Ata kanë qenë dhe janë shtylla kurrizore e SHBA-ve”, vijoi Biden.

Këto 24 orë të fundit, kreu i  Shtepisë së Bardhë e ka përshkruar si jashtëzakonisht të vështirë. Ai e ka theksuar se sulmet ishin të paralajmëruara. Gjithashtu, u ka garantuar amerikanëve se gjithçka po bëhet, qoftë nga Kabuli qoftë nga Washington-i, mbi situatën.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë lëkundje për të përmbyllur misionin e evakuimit. Ai do të përfundojë sipas planit, brenda 31 gushtit.

“Do të nxjerrim nga aty çdo ushtar amerikanë. Pa përjashtim. Çdo shtetas amerikan do të tërhiqet nga Kabuli”, ravijëzoi Biden.

Talebanët, ishin ata të cilët kontrollonin perimetrin e aeroportit të Kabulit. I pyetur nëse ky ishte një gabim, Biden ishte i qartë: “Jo, nuk ka qenë një gabim”, tha ai i vendosur.

Këtë sulm ai ia atribuoi vetëm entitetit të ISIS-K, duke i cilësuar ata madje si armiq të talebanëve.

Nëse pas 31 gushtit do të ketë ende amerikanë apo afganë aleatë në Kabul, presidenti amerikan siguroi se do të tërhiqen.

Akuzat ndaj ish-presidentit Trump, nuk kanë munguar as në këtë konferencë, mbi marrëveshjen që ai ka bërë me talebanët për tërheqjen e trupave amerikane. Sipas Biden, nuk kishte zgjedhje në këtë mes.

Ai përshfaqi edhe aspektin njerëzor gjatë konferencës. Një minutë heshtje u mbajt për të rënët.

IS merr përgjegjësinë për sulmet në Kabul

Shteti Islamik (IS)  ka marrë përgjegjësinë për sulmin në aeroportin e Kabulit.

Pretendimi erdhi në një mesazh të postuar në kanalin Telegram të lajmeve të tyre.

Grupi tha se një sulmues vetëvrasës – të cilin ata e identifikuan – shpërtheu një jelek shpërthyes midis afganëve dhe forcave amerikane.

Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë thënë gjithashtu se ata besojnë se militantët rajonalë të IS ishin prapa bombardimit.

Bilanci

Burime nga Afganistani bëjnë me dije se janë regjistruar gjashtë sulme në Kabul të enjten e 26 gushtit. Përpos dy sulmeve të mëdha në aeroport, ka pasur dhe një sulm në Baba Mina, dy në Sharenaw dhe shpërthim në Sareye Shamali.

Gjithashtu bëhet me dije se numri i viktimave ka shkuar në 80, ku 13 prej tyre janë amerikanë.

Priten konfirmime zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore