Lajme

Biden nis turin 8-ditor në Evropë


Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka nisur zyrtarisht javën e tij evropiane, me një vizitë tetë-ditore në kontinentin e vjetër.

Qëllimi kryesor i këtij udhëtimi, do të jetë pjesëmarrja e Biden-it në samitin e radhës të vendeve të G7-ës.

Ky do të jetë i pari udhëtim i presidentit amerikan në Evropë, që prej marrjes së presidencës amerikane.

Përpara nisjes, ai shprehu bindjen e plotë se superfuqitë botërore, do të arrijnë të bashkërendojnë sfidat që epoka moderne paraqet.

“A do të jenë në gjendje institucionet që kemi ngritur të sprovohen me kapacitetin e tyre mbi sfidat e ditëve tona? Besoj se po. Këtë javë në Evropë, duhet të vërtetojmë se mundemi”.

Takimi më i nxehtë që pritet, është ai i 16 qershorit, në Gjenevë, me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Kjo do të jetë një mundësi që dy krerët të shprehin shqetësimet e tyre kokë më kokë.

Objekt tjetër i diskutimeve pritet të jetë edhe shqetësimi mbi fuqizimin e madh të Kinës. SHBA-të po përpiqen prej kohësh të gjejnë kundërpërgjigje mbi zhvillimet e Kinës.

Një ndër aspektet e bisedimeve do të jetë edhe ai i vaksinimit. Së fundmi, SHBA-të kanë vënë në disponim të popullatës vaksinat e tyre Pfizer, me rreth 80 milionë doza, të cilat do të shkojnë për shtetet në nevojë.

Fushata shumë e suksesshme e Biden-it me vaksinimet, ka bërë që SHBA-të të mos “kursejnë” më për të dhuruar vaksina.

Ndër shtetet përftuese, do të jenë edhe Shqipëria me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore