Lajme

Bërnabiç për targat: Perëndimi po pajtohet me ne, por s’po bën asgjë


Ana Bërnabiç dhe Olaf Scholz

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, pas përfundimit të takimit të sotshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, në një intervistë para mediave serbe në Berlin, ka bërë të ditur se ajo gjatë ditës ka takuar shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilët ka diskutuar çështjen e konvertimi të targave ilegale në ato RKS.

Sipas pretendimeve të saj top-diplomatët evropian janë pajtuar me alternativën e Beogradit për përdorimin e targave neutrale në Kosovë, por se sipas saj ata kanë deklaruar se nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim.

“Ata pajtohen se Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet e viteve 2011, 2016 dhe 2021 duke anuluar në mënyrë të njëanshme përdorimin e tabelave neutrale KS, por nuk mund të bëjnë asgjë”, ka pretenduar ajo.

Për kryeministren serbe, tri marrëveshjet e nënshkruara sot në kuadër të Procesit të Berlinit janë të rëndësishme.

Por, sipas saj të njëjtat nuk janë shumë të reja për Serbinë, sepse ato tashmë janë bërë në një shkallë më të gjerë në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Veçanërisht është e rëndësishme që këto marrëveshje të mos derogojnë nga ajo që ne kemi rënë dakord ose po biem dakord në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Njëri nga modalitetet që u propozua në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ishte ajo e rikthimit në qarkullim të targave neutral “KS”, si opsion për serbët.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një propozim të tillë, e kishte refuzuar në mënyrë të prerë.

“Opsionet për targa neutrale, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo unë nuk e di se kush ja ka dhënë idenë, por njëkohësisht e kam shprehur shqetësimin tonë se nuk janë të pranueshme”, pati deklaruar Kurti.

Ekskluzive në Albanian Post: Rruga drejt marrëveshjes dhe nënshkrimi i dokumentit final – çdo hap në detaje

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kanë shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Se me vendimin e Qeverisë së Kosovës ShBA-të kanë mbetur të zhgënjyer e ka përsëritur edhe Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, këtë të premte, përkundër se Qeveria pranoi që ta zbus vendimin për targat dhe të mos shkojë me konfiskime të veturave, por me qortime e gjoba.

Blinken duke folur për mediumin The Pavlovic Today, në intervistë me gazetaren Ksenija Pavlovic McAteer, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, për ta shtyrë vendimin për 10 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore