Shqipëria

Zhvatën mijëra qytetarë përmes mashtrimit me mikrokreditë, lihet në fuqi masa për 9 të arrestuarit


Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat për nëntë të akuzuarit për skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

Për pesë prej tyre është caktuar masa arrest në burg, ndërsa katër janë në arrest shtëpie.

Gjykata vendosi:

Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.D.;

– Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.G.;

– Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin E.M.;

– Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen K.S.;

– Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për E.I.;

– Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen J.D.;

– Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.M.;

– Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin A.K.; dhe

– Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen A.T.

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Policia e Shtetit më 23 maj, u sqarua ne personat e arrestuar, përmes disa shoqërive, morën 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej thuajse 7.3 milionë eurosh dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575 milionë e 842 mijë e 669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258 milionë e 687 mijë e 709.07 lekë.

Në termat e tanishëm, Banka e Shqipërisë thotë se po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania” dhe se në vijim do të dalë me një njoftim të dytë për çështjen.

Skandali me mikrokreditë çon në revokimin – e vonuar – të dy licencave, nga Banka e Shqipërisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore