Shqipëria

Belgjika rikthen kufizimet për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor


Nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është deklaruar se duke nisur nga sot, 13 shtator, qeveria belge ka rikthyer kufizimet për udhëtimet jo esenciale nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këtu përfshihen Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi.

Shtetasit e këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të udhëtojnë drejt Belgjikës vetëm në rast se janë të pajisur me certifikatën e vaksinimit.

Pavarësisht kësaj të fundit pas mbërritjes në Belgjikë do t’i nënshtrohen testimit ditën e parë ose të dytë dhe të shtatë. Nëse në ditën shtatë përgjigja është prapë negative, shtetasi del nga karantina.

Ndërkohë përsa i përket udhëtimeve esenciale, duhet të kenë konfirmimin për udhëtimin nga ambasada e Belgjikës në Bullgari. Kjo e fundit do të bëjë mbulimin për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Aplikimi për PLF (Passenger Location Form), bëhet online, duke ia drejtuar kërkesën ambasadës në adresën: [email protected]

Përsa u përket fëmijëve mbi 12 vjeç duhet të jenë të pajisur me test PCR-je të 72 orëve të fundit. Pavarësisht rezultatit negativ ata pas mbërritjes në Belgjikë do t’i nënshtrohen karantinës.

E gjithë kjo masë ka ardhur pas rekomandimeve të Bashkimit Evropian. Bazuar në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në rekomandim, që nga 9 shtatori 2021 shtetet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për banorët e vendeve të treta.

Te kjo e fundit përfshihen dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto vende kanë dalë jashtë listës së gjelbër si vende të sigurta të udhëtimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore