Shqipëria

COVID-19/ BE heq Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta


Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve të sigurta. Ky është vendimi që vjen nga Këshilli i Bashkimit Evropian (BE), pas përditësimit të listës për vendet e sigurta dhe jo të sigurta për të udhëtuar.

Udhëtimet jo thelbësore në BE nga vendet ose entitetet, që nuk janë të listuara në Shtojcën, i nënshtrohen një kufizimi të përkohshëm të udhëtimit.

Kjo nuk përjashton mundësinë që shtetet anëtare të heqin kufizimin e përkohshëm të udhëtimeve jo thelbësore në BE për udhëtarët plotësisht të vaksinuar.

Kjo listë do të rishikohet çdo dy javë dhe, sipas rastit, do të përditësohet.

Bazuar në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në rekomandim, që nga 9 shtatori 2021 shtetet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për banorët e vendeve të treta.

Shqipëria ka qenë pjesë e asaj që Bashkimi Evropian e ka quajtur “listë të gjelbër” të udhëtimeve.

Pas rritjes së rasteve me COVID-19, vendi ynë nuk do të jetë më pjesë e saj.

Më 30 gusht, nga kjo listë u përjashtuan Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Te të tria shtetet e Ballkanit Perëndimor patën një përkeqësim të përhapjes së virusit COVID-19.

Tavani i BE-së për vendet e treta, është ai i 75 infektimeve për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit.

Si paraqitet situata në këto vende?

Në dy javët e fundit, Shqipëria ka pasur 41 infektime për 100 mijë banorë, ndërsa Serbia 58.

Kjo listë pritet të rishikohet më 8 shtator, duke vendosur kështu edhe udhëzimet e reja.

Qytetarët shqiptarë dhe ata serbë nuk do të jenë më në gjendje të udhëtojnë pa kufizime në vendet anëtare të BE-së.

Më herët, Gjermania dhe Italia përditësuan masat e tyre, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend me risk.

Përkatësisht Ambasada Gjermane bëri me dije se Shqipëria do të futet në listën e kuqe, ndërsa ajo Italiane e vendosi në listën D.

Sipas kësaj të fundit, çdo qytetar që udhëton drejt Italisë, duhet të paraqesë certifikatën e gjelbër COVID-19, që vërteton vaksinimin e plotë ose një certifikatë të ngjashme të lëshuar nga autoritetet kompetente shëndetësore vendase që deklaron përfundimin e vaksinimit.

Të qenit në këtë listë është avantazh për vendet e treta. Kjo, pasi i lejon qytetarët e tyre të udhëtojnë brenda unionit, me më pak kufizime se vendet e tjera. Rritja e incidencës sakaq, rrezikon të gjithë rajonin për dalje nga kjo listë.

Vendimi i shteteve evropiane erdhi pas një incidencë të shtuar në Shqipëri, për sa u përket rasteve të reja me COVID-19. Tashmë, mesatarisht mbi 800 persona rezultojnë pozitivë çdo ditë.

Numri i vdekjeve është rritur po ashtu, pas më shumë se një muaji pa vdekje nga virusi.

Një shtim i masave fillestare është marrë në Shqipëri, ndërsa të reja, të cilat i përkasin veçanërisht udhëtimeve, hynë në fuqi më 6 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore