Lajme

Barometri Ballkanik ’23: Kosova në krye të vendeve të rajonit sa i përket dëshirës për emigrim


Ilustrim

Një anketë e realizuar për gjashtë muajt e parë të këtij viti nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), tregon se nivelin më të ulët në Ballkanin Perëndimor lidhur me perceptimin publik për korrupsionin e ka Kosova me 22 përqind të qytetarëve të saj të anketuar.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Herzegovinë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut – 27 përqind e qytetarëve të anketuar mendojnë që niveli i korrupsionit është rritur, ndërsa mbetet problemi më i madh në rajon.

Shqipëria, sipas perceptimit publik të 38 përqind të qytetarëve shqiptarë është vendi me korrupsionin më të lartë në rajon, kurse në vendin e dytë vijnë Bosnjë dhe Herzegovina e Maqedonia e Veriut me 26 përqind, pasuar nga Serbia dhe Mali i Zi me 25 përqind.

E në krye të vendeve të rajonit lidhur me emigrimin në vendet perëndimore, sipas të dhënave të publikuara nga Barometri Ballkanik 2023, qëndron Kosova me 57 përqind të të anketuarve, ndjekur nga Mali i Zi me 45 përqind, pasuar nga Shqipëria me 44 përqind dhe Serbia me 41 përqind.

Sa i përket perceptimit të rënies së mbështetjes të Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian, në krye qëndron Shqipëria me 92 përqind të qytetarëve të saj të anketuar, pasuar nga Kosova me 66 përqind, Maqedonia e Veriut me 60 përqind, Bosnje dhe Hercegovina me 52 përqind dhe Serbia me 34 përqind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore