Shqipëria

Balla për Bllakon: PS nuk është mburojë për kë shkel vijën e kuqe, nesër mblidhet Këshilli për Mandatet


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka bërë të qartë faktin se “nëse shkelet vija e kuqe nga një deputet i forcës së majtë, partia nuk do të bëhet mburojë për të”, ndaj mbi këtë premisë, ai ka bërë me dije se i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, të mbledhë urgjentisht Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në këtë mënyrë, ky Këshill, mund të vendosë mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK, për të vendosur mbi heqjen e imunitetit të deputetit Alqi Bllako, pasi ky i fundit akuzohet si i implikuar në çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Në njoftimin e publikuar nga SPAK lidhur me nëntë urdhër arreste, hetimet kanë zbuluar se Bllako, në rolin e ish-sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ka kryer veprime të kundërligjshme në lidhje me procedurat e shpronësimit të tokës, aty ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit.

Balla, ndër të tjera, ka shtuar në fjalën e tij edhe faktin se këto procedura që po ndërmerren, po tregojnë më së miri se Reforma në Drejtësi po funksionon.

Ndaj, qëndrimi i PS-së (si lobuese kryesore për këtë reformë sipas Ballës), nuk do të ndryshojë, për t’u bërë “zyrë avokatie për deputetët e saj”.

Por, do të përfaqësojë anën e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore