Shqipëria

Balla: Kërkesa për zgjatjen e vetting-ut, në Venecia


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një prononcim për media të hënën e 22 nëntorit ka bërë me dije se kërkesa për zgjatjen e mandatit të vettingut deri më 31 dhjetor 2024 ka mbërritur në Komisionin e Venecias.

Tri ditë më parë, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri zhvilloi një takim me anëtarët e institucioneve të vetting-ut.

Ai bëri me dije gjithashtu se janë gati për ngritjen e Komisionit për reformën zgjedhore.

“Jemi në darkodësi të plotë për t’u ngritur Komisioni i Posaçëm, ku do të arsyetohet objekti i punës, përbërja apo çështje të tjera. 95% e punës është bërë. Këtë çështje do ta zgjidhim, në mos brenda të enjtes, në seancat e tjera të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk dua të hyj në detaje, sepse kur bëhen publike, vonohemi më shumë”.

Balla foli dhe për kërkesën e prokurorëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për mandat të pakufizuar.

“Mos harrojmë që bëhet fjalë për një ndryshim kushtetues. Nuk ka një depozitim me firma deputetësh që janë i vetmi instrument që e fusin në procedurë. Koha në dispozicion është e mjaftueshme, pasi asnjëri nuk është në fund të mandatit, por në fillim”.

Reforma zgjedhore ka qenë propozim nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, për ndryshime në Kushtetutë.

Nisur nga akuzat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, për mungesën e koalicioneve zgjedhore, PD propozoi rikthimin e tyre në Kushtetutë.

Sipas Ballës, komisioni adreson rekomandimet e OSBE-ODIHR.

“Ky do të jetë objekt i punës. Nëse komisionit do t’i jepen propozime të tjera, do të shqyrtohen. Besoj se ne do të gjejmë zgjidhje”.

Ka qenë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila më 18 korrik 2019, në emër të shoqatës së bashkive, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku kërkoi që ky proces zgjedhor të mos njihet.

Seanca e 23 qershorit 2021

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim më 23 qershor, kërkesën e Shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.

Në nisje të seancës, Këshilli i Ministrave kërkoi pezullimin e procesit, derisa në Gjykatën e Tiranës të zgjidhej konflikti i lindur mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut, për kryesimin e shoqatës, si dhe njëherazi që pjesë e procesit të ishte edhe Shoqata për Autonomi vendore.

Të dyja kërkesat u rrëzuan nga shtatë gjyqtarët kushtetues.

Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike në Shqipëri, nuk morën pjesë, duke i bojkotuar ato.

Komisioni i Venecias njoftoi më vonë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të mbajtura në 2019-ën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore