Shqipëria

Dy reforma dhe vetingu – si do ‘sillet’ mazhoranca kundrejt propozimeve të PD-së?


Dy reforma dhe vetingu janë pjesë e draft-paketës të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që do të dorëzohet në Kuvendin e Shqipërisë gjatë kësaj jave.

Ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili të hënën e 18 tetorit mblodhi Grupin, duke dalë më vonë me propozime konkrete, me amendamente për ndryshime kushtetuese.

Vetingu, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale ishin kryefjala e kryedemokratit në deklaratën dhënë për mediat fill pas mbledhjes.

Dita e sotme për PD-në u identifikua me zbardhjen e amendamenteve, se çfarë ndryshimesh duhen bërë në Kushtetutë.

Përpos kësaj, në draft-paketën parashikohet edhe shtimi i një pike në Kushtetutë lidhur me pastërtinë e figurës.

“Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK-ut një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri më datën e deklarimit, sipas ligjit. Pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërore”.

Për reformën territoriale, kthimi i komunave është propozimi i ofruar i demokratëve.

Nisur nga akuzat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, për mungesën e koalicioneve zgjedhore, PD ka propozuar rikthimin e tyre në Kushtetutë.

Menjëherë pas bërjes publike të amendamenteve ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili, i pyetur nga mediat, ka bërë me dije se ata janë të gatshëm të ulen në tryezë me opozitën për të diskutuar rreth ndryshimeve kushtetuese.

Përpos kësaj, Balla tha se nuk janë njohur “në rrugë zyrtare” me propozimet e PD-së.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Ai propozon si të rëndësishëm mbajtjen e një dialogu ndërmjet palëve për të zgjidhur çështjet dhe propozimet.

Balla, e cilësoi Vetingun si “diçka teknike” dhe se “nuk duhet të politizohet”.

Reformën territoriale, demokratët e kanë lidhur me efektin zgjedhor, që ka të bëjë dhe me ndarjen e mandateve. Kjo i ka shoqëruar gjatë fushatës me premtime se do ta ndryshojnë me hyrjen e tyre në Parlament.

Nga ana tjetër, socialistët në kohën që u propozuar ndarja e tillë administrativo-territoriale theksuan se qëllimi i një ndarjeje të tillë është për efekt socialo-ekonomik, për të ndaluar shpopullimin e rajoneve.

Çfarë parashikon reforma territoriale?

Kjo reformë, e vitit 2015, eliminoi njësitë e komunave dhe krijoi një sistem me dy nivele: prefekturë/qark dhe bashki.

Modeli i ri i reformës territoriale në Shqipëri shkurtoi praktikat e punës, duke krijuar 61 bashki dhe 12 prefektura/qarqe.

12 qarqet e vendit

Reforma territoriale në Shqipëri u bë pjesë e debatit politik dhe u votua në Parlament pavarësisht bojkotit të pakicës parlamentare.

Në atë kohë, opozita parlamentare pranoi të merrte pjesë në zgjedhjet lokale me ndarjen e re administrative.

Zgjedhjet lokale të 21 qershorit zgjodhën 61 kryetarët e rinj, duke jetësuar dhe reformën territoriale në Shqipëri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore