Shqipëria

Bajram Begaj President, opozita: Nuk votojmë asnjë kandidat të Ramës


“Qëndrimin tonë e kemi bërë të qartë me kohë, ka dhe vendim të Këshillit Kombëtar për këtë çeshtje: nuk votojmë asnjë kandidat të Ramës”.

Kjo do të ishte deklarata e kreut të Këshillit Kombetar të Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe deputet, Edi Paloka, fill pas zyrtarizimit të emrit kandidat nga mazhoranca pasditen e 3 qershorit.

“Nesër deputetët tanë do të jenë në sallë për të votuar kundër kandidatit të Ramës”, theksoi ai.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.

Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri dhe njëkohësisht edhe kreu i selisë rozë, Edi Rama. 

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste zgjati dy orë dhe u zhvillua pa praninë e telefonave.

Sakaq më herët vetë kreu i sapozgjedhur i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se në seancën plenare të së shtunës nuk do të votojë asnjë kandidat të Ramës.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat paraditen e kësaj dite, tha se ata nuk do të marrin pjesë në Kuvend. Duke bojkotuar kështu seancën.

Sakaq, kreu i Grupit socialist, Taulant Balla, në replika nga larg iu drejtua Alibeajt që bojkoti nuk është zgjidhje.

Sipas tij, bojkoti nuk sjell kurrë ndonjë përfitim.

“Ai është thjesht fyerje dhe shpërfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve”, u shpreh Balla.

Kujtojmë që të shtunën e 4 qershorit do të zhvillohet raundi i katërt i votimeve për zgjedhjen e Presidentit.

Tanimë fjalën e ka votimi në Kuvendin e Shqipërisë, të shtunën ora 18:00, në një seancë të posaçme plenare.

Detyrën e kreut të shtetit e mban Ilir Meta.

Këtij të fundit i mbaron mandati më 24 korrik, 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore