Shqipëria

Presidenti i ri, Balla “i shtrin dorën” Alibeajt – të shtunën raundi i katërt i votimeve


U mbyll me debate dhe diskutime mbledhja e radhës e Konferencës së Kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ata miratuan datën 4 qershor për raundin e katërt të votimeve.

Ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili pasi mori fjalën nuk komentoi zgjedhjen e kandidatëve për President, por diskutoi për çështje jashtë rendit të ditës.

Ai kërkoi ngritjen e Komisionit Hetimor për ligjin e investimeve strategjike.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se kjo nuk është çështje e rendit të ditës dhe se duhet të vendosen datat për procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë.

Po ashtu, edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj, i bëri me dije Alibeajt se kjo çështje duhet të diskutohet një herë tjetër.

Balla, në fjalën e tij, tha se të shtunën në orën 18:00 do të zhvillohet raundi i katërt i votimeve. Ndërsa, deri në orën 12:00, do të paraqiten emrat kandidatë për President.

Më pas, sipas procedurës, në orën 16:00 Komisioni i Ligjeve shqyrton emrat kandidatë të propozuar.

“Vendin pa President nuk do ta lëmë”, e vendosi theksin Balla.

Balla Konferenca (1)

Nga ana tjetër, kreu i grupit socialist i shtriu sërish dorën opozitës se nëse duan të përfshihen “le të marrin pjesë”.

Ai u shpreh që të heqin dorë nga bojkotimet dhe le të bashkohen për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit.

“Jemi të gatshëm që të zhvillojmë sot diskutimet. Ne presim që në ditët dhe orët në vijim, nëse doni që të përfshihemi në këtë proces, gati jemi”, u shpreh Balla.

Ky i fundit ritheksoi sërish i prerë se ulje në tryezë dhe propozime nga ish-kryeministri Sali Berisha: nuk ka!

Saka Balla akuzoi opozitën se ka qenë strategji e tyre dështimi i procesit për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kujtojmë që tre raundet e votimeve për një President konsensual “dështuan”.

Mazhorancë-opozitë kishin arritur në një marrëveshje që përgjatë tri raundeve të para – siç e parashikon dhe Kushtetuta që Presidenti zgjidhet me 84 vota – do të ishte kjo e fundit që do propozonte emra. Ndërsa mazhoranca pas raundit të katërt.

Tanimë mazhoranca, pas ndryshimeve kushtetuese, ka të drejtën ta propozojë dhe ta zgjedhë e vetme Presidentin me një shumicë të thjeshtë votash, 71.

Ndërkohë priten emrat kandidatë nga pala e mazhorancës.

Çfarë ka ndodhur?

Të hënën e 30 majit u ezaurua edhe raundi i tretë i votimeve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka bërë të ditur se asnjë kandidaturë nuk ishte paraqitur, prandaj edhe raundi i tretë u përmbyll pa emër.

Komisioni i Ligjeve, një orë përpara nisjes së seancës plenare, miratoi raportin pa asnjë emër kandidat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Për të tretën herë radhazi, Komisioni u mblodh pa asnjë emër të dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Konkretisht, në seancën e posaçme plenare, Komisioni përcolli raportin.

Të dielën e 29 majit ishte dhe afati i fundit për dorëzimin e emrave kandidatë.

Mazhorancë-opozitë

Alibeaj e bojkotoi seancën e posaçme të një dite më parë. Asnjë deputet i grupit nuk ndodhej në ulëset e tyre.

Mazhoranca ka paralajmëruar se propozimet e tyre do të vinin vetëm në raundin e katërt dhe të pestë, duke ia lënë kështu tre raundet opozitës.

Pavarësisht se, pas takimeve mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, u duk si një “dritë jeshile” për propozimin e kandidatëve, çdo gjë u hodh poshtë.

Sakaq, qe parashikuar që katër do të ishin kandidatët e propozuar nga opozita.

Përkatësisht, dy nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim.

Ndërkohë, prej këtyre emrave, dy do të zgjidheshin nga socialistët.

Pas kësaj do të krijohej një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të ishte nga PD-ja dhe PS-ja.

Nga ky grup do të dilte një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohej për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Por mazhoranca nuk ishte dakord me propozimet e opozitës. Kështu palët u gjenden sërish pa asnjë konsensus.

Alibeaj fill pas dështimit të raundit të tretë përpara mediave deklaroi se u humb rasti për të pasur një President mbi palët dhe që të bënte detyrën në lartësinë e duhur.

Sipas Alibeajt, mazhoranca nuk e mbajti fjalën dhe në tre raundet e para opozita mori pjesë e vetme.

“Kushdo të zgjidhet në raundin e katërt apo të pestë, nuk do të jetë President i shqiptarëve, por i njërës palë”, e përmbylli Alibeaj.

Mirëpo, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, fill pas mbylljes së seancës deklaroi se vendi nuk do të lihet pa President.

“Ne do të dialogojmë me çdokënd që do të ndajë përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit”, shtoi Balla.

Në përmbyllje, kreu i grupit të PS-së ravijëzoi se askush nuk mund ta marrë peng procesin dhe zgjedhjen e presidentit.

Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Po ashtu, edhe i dyti dhe i treti.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë?

Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.

Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president konsensual, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.

Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e katërt.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore